Fatos Lajci, regjisor dhe ambientalist |
Projekti ballkanik për "Parkun e Paqes" ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit, stimulimin e punësimit lokal, ndërtimin e turizmit të qëndrueshëm në rajon e mbi të gjitha, krijimin e kushteve për banim për popullatën lokale në zona të larta malore. Ai është i fokusuar në krijimin e tri 'Parqeve të ndara nacionale' në fqinjësi me njëra më tjetrën që kapin Bjeshkët e Nemuna - Kosovë; Theth -Valbonë- Shqipëri dhe Prokletije - Mali i Zi. Majën më të lartë e përbën Jezerca në Shqipëri me lartesi 2693 m., Gjeravica ne Kosove me lartesi 2656 m. si dhe Kolates ne kufirin e Malit te Zi ,me 2555 m. lartesi mbidetare.
Lajci gjate ngjtijes: Shtigjet e ecjes hapin kufijte |
Në këtë rrugëtim zë fill edhe ideja për realizimin e dokumentarit "Rrugëtimi i gjatë për paqe", i regjisorit Fatos Lajçi, sepse: "Unë kaloj një kohë të gjatë nëpër bjeshkët e Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Kjo është pjesë e pasionit tim. Dhe në vitin 2001, pasi që kuptova se bëhet fjalë që territori malor i Kosovës Malit të Zi dhe Shqipërisë të shndërrohet në një zonë të lirë të lëvizjes, atëherë edhe e përqafova këtë projekt",thotë Fatos Lajçi, regjisor i këtij dokumentari.
Siguria ne Ballkan te mos konsistoje me kufinj te mbyllur
Në projektin "Rrugëtimi i gjatë për paqe" çdo vit marrin pjesë rinia e Ballkanit, organizatorët, komunitetet lokale si dhe vëzhguesit ndërkombëtar, për të promovuar kështu lëvizjen e lirë, shkëmbimet kulturore dhe zhvillimet e qëndrueshme në rajonin kufitar në mes të të tria vendeve. Ndërsa filmi dokumentar i shfaqur të hënën, si një vëzhgues i vlerave të përbashkëta natyrore, kulturore dhe i trashëgimisë historike, me një gjuhë më vete dhe me një pasqyrë të qartë realiteti shfaqi dëshirën për jetë në paqe si dhe afrimin miqesor të vizitorëve me këto treva mikpritëse malore.
Fatosi e kapi me kamere kete specje ne zhdukje |
Lufta e Kosoves u pasua me depopullimin e zonave malore
Gjatë periudhës së luftës së vitit '99, pasoi një valë e madhe e shpopullzimit të këtij rajoni. Shpyllëzimi i pyjeve të Kosovës vazhdon edhe më tej si pasojë e korrupsionit, përderisa gjuetia e egër po ndikon në mënyre drastike në zhdukjen e disa llojeve të kafshëve të cilat jetojnë në këto zona.
Edhe në Shqipëri, sidomos prej krizës ekonomike të vitit 1997, popullata ka filluar largimin masiv nga zonat e larta malore. Disa lëvizje në ndërtimin e infrastruktures rrugore janë më shpresëdhënëse për lehtësimin e jetës në këtë rajon. Ndërkohë që në Malin e Zi, situata është më e mirë ngaqë rajoni është i dendur me popullsi dhe i pasur me vlera të ndryshme kulturore. Ndërsa, sipas z.Lajçi: "Dokumentari me karakterin e tij vjen shumë më afër secilit individ, organizatë dhe qeveri e kombësi. Është diçka humane, njerëzore e zhveshur prej komplekseve politike".
Dokumentari "Rrugëtimi i gjatë për paqe" synon senzibilizimin e opinionit të këtyre trevave për përkrahjen e kësaj ideje, me qëllim që të afrojë njerëzit, të ruaj trevat dhe të krijojë kushte për jetesë.
Pas premierës në Prishtinë, së shpejti pritet të shfaqet edhe në Tiranë dhe në Podgoricë.