11 maj 2007, Dojçe Vele, Patrollat e përbashketa të Shërbimit Policor të Kosovës, të policisë së UNMIKUt, të trupave të KFOR-it dhe të njësiteve kufitare të Kukësit, prej tash do të patrullojnë bashkërisht në të dyja anët e kufirit Kosovë-Shqipëri. Në praninë e zyrtarëve të lartë të policisë të të dyja vendeve dhe të trupave të NATO-s, në afërsi të fshatit Krushevë të Kosovës dhe Shishtavec të Shqipërisë, autoritetet e policisë kosovare e të trupave të KFOR-it-në njërën anë dhe ato të Shipërisë-në anën tjetër, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim dypalësh për patrullime të përbashkëta ndërkufitare.
Rajoni kufitar Jug shtrihet në një gjatësi prej 360 kilometrash, në trekëndëshin Serbi-Mal I Zi- Kosove deri në Restelicë, në kufi me Shqipërinë. Banorët e fshatrave fqinje nga Republika e Shqipërisë në Krushe dalin me kuaj, meqë qarkullimi I automjeteve është i ndaluar. Në periudhën e dimrit, në anën e Kosovës ata mund të hynë prej orës 8-të në orën 10-të të paraditës, ndërsa duhet të kthehen prej orës 16-të deri në orën 18-të. Verës orari ndryshon. Ndërsa, përveç kësaj, në rajonin e Gorës është hapur edhe një dalje ndërkufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas dëshmive të banorëve të këtushëm, menjëherë pas luftës u bënë vjedhje të ndryshme që nga kafshet e deri në gjërat e shtëpisë. Hamdija Sejran, nga fshati boshnjak Krushevë, dëshmon:
„Pas luftës më është prerë pylli, më janë bërë dëme të mëdha, nuk mund të them se sa kubikë. Por, kishte relativisht shumë! Pastaj, vetëm kafshë nuk mund të them se më janë vjedhur, përndryshe vjedhje gjithfare e të shumefishta, të cilat policia i ka shënuar me datë. Por, me kohë cdo gjë po bie në vend dhe nuk ka më vjedhje si dikur. Tashmë, çdo gjë po shkon në të mirë!“
Dhe kjo edhe do vazhdoj. Sepse të premten, pjesëtarët e SHPK-së dhe të policise së UNMIK-ut, pjesëtarë të KFOR-it gjerman dhe të atij turk, në Kosovë, si dhe të Policisë Kufitare të Shqipërisë, formuan patrollen e përbashkët Krushevë-Shishtavec, për ruajtjen e linjës se gjelbër, në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Hysni Burgaj, komisar I Policisë Kufitare për rajonin e Kukësit:
„Që sot startojmë me një shërbim të përbashkët kufitar, në mes të KFOR-it, Shërbimit Policor të Kosovës dhe Policisë Shqiptare. Kjo është një pjesë e strategjisë së përgjithshme të menagjimit të integruar të kufirit. Mendojmë që këtë ta shtrimë akoma më gjërë. Në mënyrë të veçantë dua të falenderoj OSBE-në për kontributin dhe ndermjetesimin e dhene dhe poashtu, në mënyrë të veçantë dua të falenderoj edhe KFOR-in për sakrificën e bërë”.
„Në saje të ndihmës së pakursyer të KFOR-ti, por edhe të vullnetit të mirë të policisë kufitare të Kosoves dhe të Shqipërisë, për herë të parë do të fillojë një patrullim përbashkët. Ky është hapi i parë që në të ardhmen do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera në kufi me Shqipërinë aty kah Qafa e Prushit, Morina, Vermica…Kështu që, do të kemi patrullime të përbashkëta, gjatë gjithë vijës së gjelbër të kufirit Kosovë-Shqipëri“-thotë kolonel Ragip Bunjaku, ndihmës i komisarit të policisë.
Përderisa, Hysni Burgaj, komisar I policisë kufitare për rajonin e Kukësit thotë se: “Kjo është një shenjë e mirë e bashkëpunimit në kontrollin e linjës së gjelbër, hyrjeve ilegale dhe kundër organizimit të krimit. Le të jetë një shërbim i mbarë, efektiv në lejimin e kalimeve legale, krejtësisht të lehta në të dyja palët dhe kontroll të rreptë të kufirit të gjelbër për të dyja palët për të parandaluar trafiqet e paligjshme dhe krimin e organizuar“.
Kjo është herë e parë që forcat e sigurisë nga Kosova dhe Shqipëria, do të patrullojnë bashkërisht me qëllim të parandalimit të thyerjeve ilegale të kufirit dhe të kontrabandës.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele