Arkivi

Presidenti Fatmir Sejdiu pwr Pashkw nw Graqanicw

5 prill 2010, Dojce Vele, Në Kosovë u kremtuan Pashkët Katolike dhe Ortodokse.Meshat kryesore u mbajten në Katedralen "Zoja Ndihmëtare", në Prizren si dhe në Manastirin e Decanit dhe të Gracanicës. Ndërsa, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pasi ka përgëzuar krerët katolik dhe ortodoks për festën e tyre, ka vizituar edhe një familje serbe në Gracanicë. 
 Qifti Julia dhe Millosh Maksimovic nga Gracanica, prindër të tre fëmijëve patën rastin që në tryezën e Pashkëve ta kenë presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun; ndjenjë kjo e papërshkrueshme për nikoqiren, Julia.

„Paj, vizita e një presidenti është gjëja më e bukur që mund të përjetoj një njeri! Unë sot u njoftova me presidentin dhe  që të gjithë jemi të entuziazmuar, sepse si ne si fëmijët e kemi pritur gjatë“-flet Julia me entuziazëm, duke mbajtur në krahë foshnjën për të cilën beson një ardhmëri të mirë në Kosovë- Besoj, sepse ketu ishin edhe paraardhësit tanë. Ne s´jemi larguar prej këtu kurrë dhe të ardhmen tonë e planifikojmë në Kosovë, sigurisht!“

Dhe, vizitën e një kreu shtetror do ta dëshironte edhe Dushka, 65 vjecare, e zhvendosur përbrënda vendit, e cila megjithëse dikur i kremtonte Pashkët në pasje, sot s´mund ta nderojë kënd qoftë edhe me një vezë Pashkësh.

„Nuk kam asnjë vezë të ta dhuroj...-thotë ajo me sytë e përlotur-Unë Pashkët i përjetoj shumë vështirë, se qëprejse kam dalë nga shtëpia jam varfëruar shumë. Pashkët janë për pasanikët...Sot kam ardhe në manastir të lutem, se besoj se do t´më ndihmojë Zoti dhe presidenti. Thanë se do t´vie sot. E unë shpresoj se do t´na vizitojë edhe ne të varfërve se do të  doja t´i uroj mirëseardhje dhe t´i lutem t´na ndihmojë, bile neve që nuk punojmë askund“.

Por, megjithëse e dëshiruar vizites se presidentit Sejdiu, Dushka s´pati mundësinë të dëgjonte premtimin e presidentit Sejdiu, krahas urimit për Pashkët:

„Këtë festë mesazhesh të mira për gjithë njerëzimin. Mesazhe për paqe dhe bashkëpunim dhe atë që thuhet gjithmonë, mesazhe për mirësi dhe humanizëm. Dua t´them poashtu se kujdesi i institucioneve të vendit do t´jetë kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie“.

Përderisa, per anëtarin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic, rënja e festës së Pashkëve Katolike dhe Ortodkse në të njëjtën ditë është një rast i ri për të gjithë në Kosovë.

„Do të dëshiroja që të gjithëve në Kosovë t´ua uroj Pashkët, të cilat në të njëjtën kohë i kremtojnë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, gje e cila ndodh rrallë. Por, ndoshta ky është një fillim i ri për të gjithë qytetarët e Kosovës“.

Se Kosova, tolerancën fetare e ka traditë dhe festat e të gjitha besimeve mbeten festa popullore, Nikolla Stoshevic e ka mësuar nga paraardhësit e vet. Atë e gjejmë në oborr të Manastirit të Gracanicës, ndërsa dhurimi i vezës në shenjë miqsie është traditë shekullore:

 
„Po ta jap këtë vezë të pashkëve, sepse me faljen e vezëve apo shkëmbimin e tyre nderohen miqtë në shtëpi, fqinji fqinjin, miku mikun. Dhurohen për familje, për shëndet, për bereqet... Nesër unë me shokun shqiptar do t´shkojmë mysafir, sepse të parët na kanë mësuar se kur nuk je mirë me finjin, i kotë është daja pas shtatë malesh“-thotë Nikolla, përderisa Adnani 11-të vjec me këto vezë shumengjyrëshe ka mbushur një qese najloni plot.

„M´i kane dhanë njerëzit. Unë eci dhe i lus t´më japin vezë dhe kështu e mbush qesen plot“-rrëfen Adnani, duke nxituar drejt shtëpisë së tij. Ndërsa, e vecanta e Pashkëve në Gracanicë është orkestri rom „Devlla Band“, i cili luan për ata që Pashkët duan t´i kremtojnë me muzikë.

„Shkojmë nëpër shtëpi, nëpër fshatra rreth e rrotull dhe luajmë me orkestër mëngjes e mbrëmje. Ndërsa, njerëzit paguajne prej 2 deri në 5 euro“- shpjegon Trajqe Raqipovic, udhëheqës i orkestrit katër anëtarësh.
 
Ndërsa, mesazhi i Pashkëve Katolike dhe Ortodokse është i njëjtë: me dëshirën për largim nga mëkati, jetë në bashkëjetesë e mirëkuptim dhe ringjallje në dashurinë e Zotit.
 
„Të jemi të gjithe të gëzuar, të lumtur dhe të duhemi...Që  të pranojmë tjetrin sic duam të jemi të pranuar vet“.