Arkivi

RESHAT ARBANA: "Të bësh një rol don të thotë të dalësh nga vetja"

2004, Zeri Ditor, Reshat Arbana është njëri ndër aktorët më të mirënjohur të kinematografisë shqiptare. Galeria e protreteve të tij është e pasur dhe e larmishme. Me fuqinë e shprehjes, mesazhet qytetare dhe pasionin në intepretim gjithmonë mbeti i dashur për popullin dhe i duartrokitur nga spektatori. Interpretoi rreth 60 role në film, si në: "Komesari i Dritës", "Nëntori i dytë", "Fundi i një hakmarrjeje", "Kush vdes në këmbë", "Hije që mbeten pas", "Kur hapen dyert e jetes" etj. dhe rreth 35 në teatër, ndër të cilat veçon: "Familja e Peshkatarit". Gjithnjë i pranuar dhe i pëlqyer nga shikuesi dhe kritika. Gjithnjë i adhuruar nga populli dhe i dashur për popullin. Zëri i tij bucitës si i krijuar për vargjet e Fishtës, si jehonë kushtrimi ka bartur epizmin e maleve tona në cdo kënd ku ka shqiptar. Me një reputacion të tillë artistic, me të arritura kulminante ne skenë teatri e filmi, ky ktor sot, mbase I prin gardës së madhe aktoreske të të gjithë shqiptarëve. Reshat Arbabanën, me cmimin Artist I Popullit dhe shumë e shumë cmime të tjera, që stolisnin karrierën e tij të gjatë në skenë, e mbajnë të afërt te të gjithë artdashësit duke ia cmuar vlerat aq të shënuara e që e I bëjnë nder historisë së përgjithshme të artit të të interpretuarit .




Ajete SH. Beqiraj: Keni një zë të rrallë.A e falenderoni Zotin për ktë dhunti?

Reshat Arbana: M´ke bërë lëvdatën më të bukur.Po,e falenderoj!
Ajete SH. Beqiraj: U desh shumë kohë per t'iu arritur.A jeni gjithnjë kaq i pakapshëm?
Reshat Arbana: Përkundrazi.Por,kjo ndodhi ngaqë s'i kam shumë në qejf intervistat.Jeni e para në këtë shtrirje kohore që po më bëni intervistë.Por, meqë më ke ardhur nga Kosova jam i detyruar t'iu mirëpres, sepse dihet dobësia ime për Kosovën dhe vëllezërit kosovar...
Ajete SH. Beqiraj: Të fillojmë pra me pyetjet, sa nuk keni ndërruar mëndje...Fillimisht, kur e ndjetë për herë të parë se fusha në të cilën jeni lindur është teatri dhe filmi?
 
Edhe yjet  ndjehen të vegjël para popullit që i do 
 
Reshat Arbana: Po, unë nuk e di moj Jetë, nëse mund t'i them vetes artist? Një aktor yni që nuk është në mesin tonë thoshte se kur i kalova 15 vjet vjet jetë artistike në Teatrin Kombtar,unë e ndjeva se mund të jem aktor. Dhe,edhe unë tek tash ndoshta e ndjej se mund të jem bërë aktor dhe mund të luaj mirë.Sepse fusha e Artit dramatik është e paanë,e pafund.
Ajete SH. Beqiraj: Don të thotë atë që e ka kuptuar masa kohë më parë, juve ju deshën kaq vjet ta pranoni?
Reshat Arbana: Është e vërtet! Dhe,unë tash e kuptoj përse gjithë ky respekt i madh popullit ndaj nesh. Sepse, ne i dhamë teatrit dhe kinematografisë përsonazhe dhe karaktere të tillë që kanë hyrë në zemrat e popullit.Për të mos thënë pastaj tek ju, në Kosovë edhe më shumë.Do të jem borxhli gjithë jetën për respektin që kanë treguar për mua dhe figurën time.Dhe,po ju them si burrat, kam frikë të vi në Kosovë sepse më duhet t'iu jap xhevap të gjithëve. Ne nuk jemi shpërblyer. Por,kemi marrë një nderim dhe respekt që s'ka të paguar!
Ajete SH. Beqiraj: Ju filluat me rolin në filmin "Komesari i Drites" për të vazhduar me role gjithnjë më të spikatura...
Reshat Arbana: Po. Menjëherë pas mbarimit të Shkollës së Lartë për Aktor "Aleksandër Moisiu",karrierën time fillova me një rol negativ te Nikollë Mustaqeziut ose Klyshit të Dodës.Dhe,pikërisht këtij "klyshi të Dodës" ia di për nder se fill pas realizimit të këtij roli,të parit në kinematografi,erdhën edhe role te tjera.
 
Njëqind role në teatër dhe film
 
Ajete SH. Beqiraj: Galeria e portreteve tuaja është e pasur dhe e larmishme. Janë rreth 60 role në film  dhe rreth 35 në teatër,me karakteret e të cilave duhej të përshtateshit. A ishte vështirë?
Reshat Arbana: Sigurisht që nuk është e lehtë! Mirëpo, duke jetuar me popullin,duke pirë duhan e raki me njerëz të profesioneve të ndryshme,duke dëgjuar se si reagojnë, se si dëgjojnë,se si nxehen,se si bërtasin,kjo më ka ndihmuar shumë. Sepse,të bësh një rol,don të thotë të dalësh nga vetja jote. Nuk mund të bëhesh kriminel, kur nuk ther dot një pulë.Por,duhet të bëhesh si ta dojë puna. Dhe,unë siç ia kam arritur të jem i dashur ia kam dalur të bëhem edhe i urryer.Por,sa iu përket roleve negative,unë kam pasur propozime të mos bëj role negative se qenkam për role babaxhane e burrash të mirë. Megjithatë,edhe unë kam gjynahet e mia, kusuret e mia si çdo njeri tjetër.
Ajete SH. Beqiraj: A ka ndonjë nga këto role për të cilat sot mendoni se do mund te jepnit më shumë?
Reshat Arbana: Po si jo? Nuk mund të jenë të gjitha role të goditura. Ka role që, me të thanë të drejtën,nuk dua t'i shoh më. Kam patur një rol në filmin"Dueli i heshtur",një rol edepsëz,një qen bir qeni që e urrej veten kur e shoh. Por,mund të them se i kam nja dhjetë që i kam të zemrës,edhe pse për aktorin e mirë nëqoftëse lë dy tre role të mirë në jetën e tij, është gjë e madhe. Sepse,mund të bësh edhe 300 role,por ikin dhe nuk mbetet gjë prej tyre.
 
Reshat Arbana ringjalli Isë Boletinin
 
Ajete SH. Beqiraj: Dhe ato "role të zemrës" janë?
Reshat Arbana: Po nuk e di tash sa kanë pa vëllezërit andej? Por, unë do të përmendja psh.dramën "Familja e peshkatarit",të Sulejman Pitarkës,ku kam patur rolin e Selim Brukës.Një nga rolet që e kam dashur shumë dhe me vjen keq që nuk ka mbetur,sepse është regjistruar në aparatura jo të përshtatshme. Unë në përgjithesi jam aktor i heroikes, i tragjikes. Nuk jam i planit estradesk. Mbase edhe karakteristikat e jashtme i kanë shtyrë regjisorët të më japin role qëndrore, me peshë dramatike dhe heroj. Kam luajtur personazhe dhe figura të njohura historike dhe politike, ndër të cilat veçoj Isa Boletinin,sigurisht,sikur t'ia shtoje edhe një episod 12 minutësh që për fat të keq i është hequr për ato budallëqet e kohës. Më ka vrarë në shpirt dhe më dhemb akoma në shpirt, pse ajo pjesë nuk është gjetur më! Kur është shfaqur për herë të parë në Kolektivin e "Kinostudios",është pritur me shumë duartrokitje vetëm për një fjale,të cilën nuk mund ta përmend se më mbërthejnë emocionet...
Ajete SH. Beqiraj: Megjithatë, edhe pa atë episod ju sot jeni njeri ndër figurat më të shquara të kinematogrsfise sonë. Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Reshat Arbana: Po e them,se kam mundur të përfundoj si një automekanik,i strukur në atë qerdhen time pa më njohur njeri.Por, puna ime,dashuria për profesionin, ndihma e shokëve dhe eksperienca e Teatrit Kombtar bëri që unë të evidentohem si edhe shumë shokë të tjerë e të bëhem një personazh që gëzon respekt gjithandej.Ky është një respekt që nuk e gjen në të gjitha profesionet. Sepse,një politikan edhe nëse kujtohet, kujtohet për keq.Kurse,aktori e ka fatin e madh se bëhet i pavdekshëm.Njerëzit gjithnjë do të kujtojnë kush ka qënë Kadri Roshi,Sulejman Pitarka,Sander Prosi,sepse ata e kanë ushqyer popullin shpirtërisht.
 
  "Atdhetarët" e Fishtws jehuan gjithandej ku ka shqiptarë
 
Ajete SH. Beqiraj: Ju ishit ai qe ju dhate jete vargjeve revolucionare të At Gjergj Fishtes dhe përmes audio-kasetës "Atdhetarët" bartet epizmin e maleve tona në çdo kënd ku ka shqiptar. A do t´na thuani diç më shumë lidhur me këtë...
Reshat Arbana: Tash më keni prekur në tel…Dhe, bëtë mirë! Unë nuk kam shkëlqyer ndonjëherë në recitimin e vargjeve,deri nga vitet '88.Por,duke shfletuar Fishtën e madh edhe një herë,dhe duke parë në Radio Televizionin e athershëm të Kosovës tërë ato maltretime, persekutime e vuajtje të vëllezërve të Kosovës,unë i hyra kësaj pune me shpirt dhe në vitin '89,arrita të bëj një audiokasetë me anë të së cilës iu bëra thirrje shqiptarëve se tashmë ka ardhë koha të ngrihen.Dhe,kur iu thoja :"N'kamë bre burra, n'kamë! Cka jeni mshef ner furka të grave si do rrole të kqija?!..."-dojke zemra me m'dalë prej krahërorit.Kjo audio kasetë u shpërnda nëpër botë dhe mua me vjen mirë që edhe sot e kësaj dite marr telefonata edhe nga Australia për intepretimin e këtyre vargjeve,të cilave jam përpjekur t'iu jap jetë.Doja t'i thoja popullit tim se mjaft më. Nuk shkon gjithmonë:"Shuj shuj!...Shuj shuj!" Dhe,më vjen mirë që ma dëgjuan nja dy përqind fjalën dhe u ngritën!
 
Politikanë, jeni fytyra e kombit-Popull,sa shpejt harruat cfarë përjetuam!
 
Ajete SH. Beqiraj: Po burrave te Kosoves se pasluftes e vecanerisht atyre burrave që janë në krye, c'porosi do t'u jepnit?
Reshat Arbana: Do kisha shumë mesazhe për popullin tim…Do të thoja se jemi bërë copë-copë.Një konflikutalitet i paparë në mes të politikanëve, që në fund të fundit,këta janë fytyra e kombit.Dalin jashtë shtetit dhe na përfaqësojnë neve.Atyre do t'iu thosha,të fillojnë të mendojnë më shumë për këtë rini që endet rrugëve e kafeneve. Ndërsa, popullit do t'i thosha se shumë shpejt e keni harruar luftën. Jashtezakonisht shpejt! Dhe,unë bëj çudi të madhe si është e mundur të ndodh kjo?Duhet të kujtojmë të paktën një herë në ditë ato vuajtje, ato sakrifica, ata lotë në sytë e nënave. Jeta bën punën e saj. Por, të bën mirë ty nëqoftëse i kujton! Unë dua t'i përgëzoj të gjithë ata njerëz që merren me manifestimin e këtyre datave të rënieve të heronjve. Nëse nuk jemi të zotët të bëjmë punën e tyre, të falim gjakun si ata, të paktën të përkujtojmë veprën e tyre. Të mos i marrim nëpër gojë!Se kam dëgjuar(mos t'iu vie keq!),se shumica duan ta fshinë fare atë luftë dhe se trimat duan t'i kthejnë në frikacak. Është për të të ardhur keq!Unë e kuptoj se asnjëherë nuk kanë munguar palaqot e tradhtarët.Por,kjo luftë filloi sepse duhej të fillonte! Është e qartë që nuk mund të perballohej nga ajo ushtri. Por, ishin ata djem që i dhanë ato krisma se nuk shkon më kështu. Pastaj, bota i thirri mëndjes që ky popull do ndihmuar dhe lufta u mbështet! Prandaj, mesazhi im do të ishte: "Populli duhet t'i thërras mëndjes, t'i thërras zemrës e shpirtit e të lidhet ndër vete. T'i lërë armiqësitë që na morën në qafë dhe të shohë nga ardhmëria, se sinqerisht po them, kështu siç jemi nisur nuk kemi asgjë në terezi. Nuk jam pesimist. Absolutisht! Gjithmonë bëhem optimist kur shoh një brez të ri që është shumë i përgatitur edhe nga ana politike për të udhëhequr një shtet. Por, nuk i lënë pleqtë këta djem shumë të mirë, pa mentalitete e paragjykime.E pra,me këtë rast dua të uroj edhe që të shohim sa më shumë fytyra të reja në politiken shqiptare, pa zënka e hasmeri, të mendojmë më shumë për Shqipërinë se sa për vete. Uroj të kemi dashuri, dashuri, dashuri ndër vete!