Arkivi

Bashkejetese e serishme ne Kosove?

20 tetor 2007, Dojçe Vele, Një ndër tetë standardet që duhet plotësuar para përcaktimit përfundimtar të statusit të Kosovës, është standardi i katërt që ka të bëjë me „Kthim të qëndrueshëm dhe të drejtat për bashkësitë dhe pjesëtarët e tyre“. Qeveria e Kosovës për këtë qëllim pat ofruar një fond prej 11 milionë eurosh, ndërkohë që një rol të rëndësishëm luajnë edhe organizata të ndryshme ndërkombtare.

Me shpërthimin e luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët u dëbuan masovikisht nëpër vendet e rajonit. Rikthimi i tyre në vatrat e veta, çoi në ikjen e grupeve të tjera etnike nga Kosova, kryesisht të pakicës serbe si dhe të komunitetit rom e ashkalijë, të cilët nga shumica shqiptare akuzoheshin për bashkëpunim me forcat serbe. Gjatë kësaj kohe u bënë përpjekje të vazhdueshme për kthimin e të zhvendosurve në pronat e veta si dhe në riintegrimin e tyre në shoqëri. Por, tetë vjet pas largimit të popullatës nga Kosova, në periudha, forma e vende të ndryshme, muri ndarës në mes të shqiptarëve dhe serbve vazhdon të ngrihet i lartë e i pakapërcyeshëm.
„Jo, se as ata se kanë lanë me u ftoh por e gërrithin gjithë kohën e tentojnë me ardhë apet me e ba Serbi të madhe. Na kem me ta! Ata na ngucën ne-jo na ata!”-thote Musa Beqir Sutaj, nga Lluka e Decanit.
„Unë besoj se do të na pranojnë mirë, sepse nuk kanë arsye. Po t´i kishim bërë ndokujt ndonjë gjë, ne as që do të vinim!“-thotë serbi Cedomir Muriç.
„Vallahi mundet Zoti! Qyre! Ata duhet me e dit vet, si na kane vra, na kane pre, na kane djeg e na kane qit prej tokave tona veç për qejf të vetin. Qysh e boj unë atë mik?!“-mendon Zef Kacoli nga Peja.
„Kur shqiptarët e lëshuan Kosovën, sepse e panë si alternativë që të ikin masovikisht për të dëshmuar para botës katastrofen humanitare dhe për të nxitur bombardimin, ne u jepnim bukë e ujë karavneve që iknin këmbë.“-thotë z.Muriç, serb nga Vitomirica.
„A e çunë krejt Kosovën në Shqipëri? Ko e nxune e vranë e prenë, për shpirt si e patën! A po t´kapin për qafe kur të vinë-a? Tash të hanë krejt! Veç shyqyr Zotit që erdh ai tauzi i madh prej Amerike, Bill Klintoni, edhe i ndoq nji herë teposhtë, e t´iua coi hycmin krejt. Vap…Vrane veten! Se pasha Zoten, mos me qënë Zoti e Amerika, qetu i sheh apet!“-thotë Rrustem Beqiri, nga Strellci I Deçanit.
“Paj në kurrë s´jemi dashur ndërmjet vete. Kjo është veç politikë se ne nuk duhemi!”-thotë Milloshi, serb nga Vitomirica, i zhvendosur në Beran të Serbisë.
“Një serb n´koftë konë në një gazmend, krejt për hatër të tij kemi fol serbisht. E ata kurrnji send nuk banë për ne! Asgja njerëzore nuk treguan karshi shqiptarëve. Një të kish dalë me thanë se „shqiptarët janë të mirë politka e Milloshit e ka ba se na se kishim bo kto!“ Por, e kanë bo qe dhjetë vjet e apet jane n´to me e ba, apet!“-kujton  Musa Beqir Sutaj, shqiptar nga Lluka.
Vlladimir Anxheliç, nga Aranxhelovci I Serbisë, sheh situatën nga një kënd tjetër.
„Duhet vetëm të kalojë kohë dhe njerëzit e mençur do të merren vesh. Vetem duhet kohë për t´u penduar; për kërkim falje dhe falje ndërmjet vete!“
Sipas Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë(UNHCR),që nga viti 2000 e deri më 31 mars të vitit 2007, në Kosovë janë kthyer 16,458 persona të të gjitha komuniteteve minoritare, përfshirë edhe komunitetin serb.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele