Presidenti Tadiq dhe patriarku i Manastirit të Deçanit, Tadosije |
Presidenti Tadiq qëndroi të dielën në Manastirin e Deçanit, ku bashkë me ministrin serb, Sllobodan Samarxhiç dhe udhëheqës të tjerë të Serbisë, kanë marrë pjesë në Vigjiljen e Pashkëve. Në ambientet e këtij manastiri, udhëheqësit serb përcollën edhe Liturgjinë e Pashkëve. Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Vëzhgimi i gjendjes edhe me helikopterë ushtarak ka vazhduar të dielën deri në mesditë.
Janjiç: "Pas presidentit Sejdiu manastirin viziton presidenti Tadiq
Presidenti Tadic, të dielën nuk është prononcuar për mediat. Mediave lokale nuk i është lejuar hyrja në manastir. Ndërsa, zëdhënësi i Manastirit të Deçanit, ati Sava Janjiç, për Deutsche Welle-n deklaroi se: "jemi veçanërisht të nderuar me prezencën e presidentit Tadiq në Pashkët e sivjeme.Para dy vitesh, në manastir ishte edhe presidenti i Kosovës, z.Sejdiu. Tashmë presim edhe mysafirë ndërkombëtare dhe zyrtarë komunale, sepse ky është rasti të dëshmojmë se ky manastir është i hapur për të gjithë njerëzit vullnetmirë, pavarësisht qëndrimeve politike apo besimeve fetare. Në këtë frymë ishte edhe vizita e presidentit Tadiq; pa asnjë qëllim politik, por në shenjë respekti ndaj trashëgimisë kulturore dhe në shenjë solidariteti me njerëzit që jetojnë në manastir. Shpresojmë që kjo vizitë të kuptohet drejt, pa i dhene dimension politik”.
Mesazhi i Atit Sava Janjiç për festën e Pashkëve ishte pajtues: “Ringjallja e Krishtit është ditë e paqes, e gëzimit dhe e faljes. Është koha që të gjitha keqkuptimet të lihen anash dhe njerëzit të dëshmojnë, se janë të bashkuar në dashuri e respekt. Le të bjerë kjo dritë mbi të gjithë ne, në Kosovë, duke na afruar drejt Zotit, me urimin për përparim, paqe, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë!”
Reagime qytetare
Në oborrin e manastirit qëndronin dhjetëra serbë nga Kosova dhe Serbia, ndër ta edhe 28 vjeçari, Milan Misiç, nga Beogradi: “Kam ardhur të festoj festën më të vjetër të krishtërimit, e cila kremtohet që 2000 vjet. Atmosfera e Pashkëve këtu është jashtëzakonisht e mirë dhe mua më pëlqen të vij në Manastirin e Deçanit, i cili është një vend i respektuar në gjithe botën." thotë Milani. Mesazhi i Milan Misiç-it është paqja dhe toleranca.
Për deçananasit, Pashkët Ortodokse të cilat dikur i kremtonin bashkë, ishin një ditë e rëndomtë. Ndërsa, prania e presidentit të Serbsë, Boris Tadic dhe e udhëheqësve të tjerë, një provokim me shumë nga ana e autoriteteve të Serbisë. Udhëheqësit serbë, pas manastirit të Deçanit vizituan edhe Patriarkanën e Pejës, pastaj udhëtuan për në Beograd.
Ajetë Beqiraj, DW