Arkivi

Duhet kohë për bashkëjetesë shqiptaro-serbe pas luftës së Kosovës

Djurdja dhe i biri Nebojsa Radovanovic jetojnë
 në kontanierët e Enklavës së Graçanicës
2 nëntor 2007, Doj#e Velle. Procesi i shpërnguljes të serbëve nga Kosova po zëvendësohet tani me procesin e rikthimit. Por, çfarë mendojnë serbët e kthyer për Kosoven e Re? Ç'të përbashkët ka me shoqërinë e dikurshme shumëetnike apo sa kanë forcë t'pranojnë shqiptarët rikthimin e tyre pas luftës së Kosovës?



Ku është Serbia e vjetër sot dhe ku do të jetë Kosova e re, nesër? 

Kjo është një pyetje të cilën të dyja komunitetet ia shtruan vetes për gjithë këtë kohë. Por, pas tetë vjetësh vendnumërimi dhe qëndrimi pezull, përgjegja sikur nuk ka më rëndësinë e dikurshme. Të paktën jo për serbët e Kosovës të cilët që nga viti ´99 jetuan në Serbi. 

Ekonomia i lidh të gjithë

Milija Llazoviç, është përfaqësues i 22 familjeve të kthyera nga Serbia, në korrik të këtij viti. "Një numër i madh i shqiptarësh jetojnë në Zvicër, në Gjermani, në Amerikë dhe nëse, psh. Kosova bëhet nesër e pavarur, mua nuk do t´më pengoj as shqiptari, as turku, as romi. Bashkëjetesa do të funksionojë. Por, duhet të ngritet ekonomia, se ajo është e cila do të na lidh të gjithë neve." 

Bashkëjetesa e rëndësishme

Kosovë në kuadër të Serbisë apo Kosovë e pavarur, ka edhe më pak rëndësi për ata të cilët tetë vjet kanë jetuar në qendra kolektive, në Serbi dhe Mal te Zi. Deklaratat e tyre për bashkëjetesën dëshmojnë se ata kanë kuptuar rëndësinë e bashkëjetesës. Malina Zhivaljevic, madje shkon edhe me larg: "Paj kot, ju nuk keni miq më të mirë se ne e as ne, më të mire se ju. Por, dëm që ne ca gjëra i kuptojmë kur 
bëhet vonë." 

Serbët ja venë fajin e luftës dhe bashkësisë ndërkombëtare


Por, ndonëse shumë prej të kthyerve serb shprehin haptas dëshirën për përtëritjen e marrëdhënieve me shqiptarët, rrallë gjendet ndonjë që dënon politikën e cila çoi në shpërthimin e luftës së vitit ´99. 
Krahasimi i krimeve të forcave serbe me luftën mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pothuaj është i rëndomtë. Por, ka të tjerë që duan të besojnë se "sherri" erdhi nga jashtë. Çedomir Muriç, për shpërbërjen e Jugosllavisë, drejton gishtin kah Bashkësia Ndërkombëtare. "Unë këtu kam jetuar 51 vjet. Punoja, shoqëroheshim me njëri-tjetrin dhe asnjëherë nuk patëm konflikte ndërmjet vete, përderisa nuk erdhën nxitjet nga anash. Kur në vitin ´90 ra Jugosllavia, organizatat ndërkombtare erdhën nga të gjitha anët dhe si pasojë, përveç Malit te Zi, plasi lufta gjithandej. Do të shohim në do t´ia dalë Bashkësia Ndërkombëtare të ndërtoje një shoqëri multietnike çfarë e kishim dikur. Ajo e dikurshmja ishte shoqëri multietnike!" 

Shqiptarët dikur kanë qenë të diskriminuar

Beqir Sutaj, nga Lluka e Deçanit ka jetuar në një shoqëri të tillë:"Ata, gjithmonë kur na shihnin neve bajshin me përçmim: "Evo shiptari!(Shih shqiptarin!)!" Përkundër, siç shprehen shqiptarët, "përçmimeve e diskriminimeve të vazhdueshme përgjatë periudhave të ndryshme historike që quan në shpërthimin e konflikteve të përgjakshme", tek shumica shqiptare vërehet vetëdija e pranimit të Kosovës si një gërshetim etnish, kulturash dhe fesh të ndryshme. Këtu nuk përjashtohen as gjenratat e vjetra, ndër të cilët është edhe Haxhi Shala, nga fshati Babiq i Pejës: "Kthimi i serbëve është problem i Kosovës, se bota është e përzier. Nuk ka etnikisht të pastër, 
kurrkund." 

Pajtimi do kohë

Haxhi Shalës, forcat serbe ia vranë djalin në mes të kolonës së kosovarëve, te cilët po deportoheshin për në Shqipëri: "Ma kanë vra djalin. Po, unë nuk muj me u hakmarr, psh. ta ka fajin dikush tjetër e ti me marr hak në mu. Duhet me u hakmarr siç thotë Kur´ani: Njeriu i njëjtë, arma e njëjtë!" 

Nikolla nga Beogradi, nuk sheh mundësi bashkëjetese: "Shumë vështirë! Shumë vështirë, fatkeqësisht! Por, nuk ka nevojë që serbët dhe shqiptarët të urrehen. Thjesht, vetëm duhen respektuar dallimet e 
njëri-tjetrit. Të jetojmë në paqe, duke kuptuar se njerëzit janë ndryshe dhe duke i pranuar ato dallime." 

Por, Beqir Sutaj nga Lluka e Epërme thotë se duhet kohë për mbylljen e plagëve: "Le të shkojë një kohë dhe e shohim. Nëqoftëse ata përmirësohen edhe na me siguri se kemi me i afrue. Veç le të shkojë pak kohë.Le të mshelen varrët pak!" 

Ajetë Beqiraj, DW