28 dhjetor 2007, Dojçe Vele, Thellohen mosmarreveshjet në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kohën kur pritet zyrtarizimi i marrëveshjes se koalicionit të ardhshëm qeverisës. Ndërkohë, kryeparlamentari në largim, Kolë Berisha deklaron se „jo vetëm Serbia me rezolutat e saj absurde, por asnjë forcë tjetër nuk do t´mund ta pengonte pavarësimin e Kosovës”.
Përfundimi i mbledhjes së kryesisë së partisë së LDK-së, në të cilën ishte prezent edhe presidenti Fatmir Sejdiu, nuk solli tjetër veç zvarritjes së mëtutjeshme. Pas perfundimit te saj, u bë e ditur se LDK nuk pajtohet me ministrite e ofruara nga mandatari Hashim Thaci. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shërbimeve Publike dhe Ministria e Drejtësisë, ishin ato që sipas PKD-së, duhej të udhëhiqte LDK në mandatin e ardhshëm-mesojmë nga burime jozyrtare. Mirëpo, nënkryetari i partisë, Eqrem Kryeziu tha se partia e tij pajtohet për postin e presidentit, zv. kryeministrin dhe 5 ministri, por jo edhe me ministritë e zgjedhura nga PDK.
„Nuk ka minsitri më të parëndesishme. Varet se sa e vitalizon ministri i saj atë si burim! Mirëpo, janë disa që kanë qarkullim më të madh të kapitalit dhe në këtë rast do duhej njëfarë „fer-play“, që të kemi të drejtën e barabartë të menagjimitt e resurseve të Kosovës“-tha me këtë rast, nënkryetari Kryeziu.
LDK nuk u pajtua as me kërkesën e mandatarit Thaçi, që në strukturën e ardhshme asnjë prej ministrave aktual të LDK-së të vazhdojë të jetë në postin e tj. Bazuar në këto qëndrime, mundësia e lidhjes së një koalicioni vjen duke u vështirësuar, ndërkohë që me Kornizën Kushtetuese, parlamenti duhet të mblidhet deri më 5 janar. Mirëpo, përgjegjësinë për këtë zvarritje nuk e merr asnjëra palë dhe përderisa nga Lidhja Demoraktike e Kosovës thonë se, procesi nuk është bllokuar nga ata duke pasur parasysh se mandatin për t’i prirë formimit të koalicionit të ri e ka Partia Demoratike e Kosovës, PDK nuk i komenton zhvillimet e fundit dhe kërkesat e LDK-së.
Ndërkohë, kryeparlamentari i Kosovës, në largim, Kolë Berisha, në një takim me gazetarët po të premten deklaroi se Kosova është më afër se kurrë zgjidhjes së statusit.
"Nuk jam njeri I premtimeve të mëdha e as I deklaratave bombastike. Megjithatë, jam I bindur thellë se jo vetëm Serbia me rezolutat e saj absurde, por asnjë forcë tjetër nuk do të mund ta pengonte procesin e pavarësimit të Kosovës”-tha z.Berisha.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele