Arkivi

Parlaenti i ri i Kosoves do te mblidhet me 4 janar

3 janar 2008, Dojçe Vele. Institucionet e reja të Kosovës pritej të formoheshin brenda vitit 2007. Kuvendi i Kosovës ka qenë në pritje të vendimeve të partive politike për të thirrur seancën konstituive të tij.

Koalicioni i ri, i cili do të udhëheqë Kosovën në dyvjeçarin e ardhshëm, sipas marrëveshjes do të jetë i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Pakicat. Ndërsa, Aleanca Kosova e Re, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, pritet të përfaqësojnë opozitën e ardhshme parlamentare të Kosovës. 

Sipas marrëveshjes në parim, Partia Demokratike e Kosovës pritet të marrë vendin e kryeministrit dhe atë të kryeparalmentarit, si dhe të udhëheqë me shtatë ministritë kryesore. Lidhja Demorkatike e Kosovës do të mbante postin e presidentit, një zëvendëskryeministër si dhe do të udhëhiqte me 5 ministri. Ndërsa, me 3 ministritë e tjera pritet të drejtohe nga përfaqësues të pakicave. Por, në kohën kur pritej zyrtarizimi i marrëveshjes se koalicionit të ardhshëm qeverisës, mospajtimet në mes të PDK-se dhe LDK-së, u thelluan. Mbledhja e kryesisë së partisë së LDK-së, nuk solli tjetër veç zvarritjes së mëtejshme, sepse pas përfundimit te saj u bë e ditur se Lidhja Demokratike e Kosoves pajtohet me numrin e ministrive nga i ngarkuari për themelimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi, por jo edhe me llojin e tyre.

„Nuk ka ministri më të parëndsishme. Varet se sa e vitalizon ministri i saj atë si burim! Mirëpo, janë disa që kanë qarkullim më të madh të kapitalit dhe në këtë rast do duhej njëfarë „fer-play", që të kemi të drejtën e barabartë të menaxhimit të resurseve të Kosovës"-tha me këtë rast, nënkryetari i Lidhjes Demokratike te Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shërbimeve Publike dhe Ministria e Drejtësisë, ishin ato që sipas PKD-së, duhej të udhëhiqte LDK në mandatin e ardhshëm-mesojmë nga burime jozyrtare. Mirëpo, nënkryetari i partisë, Eqrem Kryeziu tha se partia e tij pajtohet për postin e presidentit, zv. kryeministrin dhe 5 ministri, por jo edhe me ministritë e zgjedhura nga PDK. LDK-ja nuk u pajtua as me kërkesën e të mandatuarit Thaçi, që në strukturën e ardhshme asnjë prej ministrave aktualë të LDK-së të mos vazhdojë të jetë në postin e tij.

„Po të isha në vendin e Thaçit, ndoshta edhe unë do të dëshiroja të njëjtën, le të kuptohemi. Por, një gjë e tillë mund të jetë e këshillueshme apo e dëshirueshme.Mirëpo, përjashtime të tilla nuk ka", thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Bazuar në këto qëndrime, mundësia e lidhjes së një koalicioni vjen duke u vështirësuar, ndërkohë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, është paralajmëruar të mbahet me 4 janar. Në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës do të jetë forca kryesore parlamentare në vend, me 37 deputetë.

Ajetë Beqiraj, DW