1 janar 2008, Dojçe Vele, Udhëheqësit më të lartë të Kosoves dhe ata të subjekteve politike kanë uruar kosovaret me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke shprehur bindjen se viti 2008, do të hyjë në histori si vit i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ata shprehen bindje, poashtu, se viti 2008 do të jetë vit i punës dhe sukseseve të reja të Kosoves.
Kosova po hyn në vitin e madh e historik kur edhe do të bëhet njohja formale e pavarësisë, e cila sipas shumicës kosovare, është arritur në vitin ’99. Viti që e lamë pas ishte një vit i sprovave të rënda-viti që po vjen, një vit i vendimeve të mëdha historike! Kjo është bindje e popullit. Ky është premtim I udhëheqësve vendorë dhe ndërkombtarë, në Kosovë, me rastin e natës së ndërrimit të motmoteve!
Presidenti I Kosovës, Fatmir Sejdiu:
“Në një kohë si kjo, më shumë se kurrë më parë, pushteti dhe qytetarët duhet të bëhen të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolet e veta. Institucionet e vendit tonë, presidenca, kuvendi dhe qeveria e Kosovës, do të kenë nderin me peshë historike: ta nisin me këmbë të mbarë shtetin e njohur e të hapur para botës në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike”.
Kryetari I Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, shpreh bindjen e thellë “se viti 2008 do të jetë vit vendimtar për popullin e Kosovës si dhe vit i realizimit të aspiratave tona, për shtet të pavarur e sovran”.
Kryeadministratori I Kosovës, Joachim Ryker, përgëzoi popullin e Kosovës për tejkalimin e sfidave të mëdha gjatë vitit 2007.
“Deklarata e përbashkët në Keshillin e Sigurimit me 14 dhjetor, reflekton qëndrimin se mundësia për zgjidhje të negociueshme ka dështuar. Por, kjo zgjidhje megjithatë duhet të arrihet. Gatishmëria e Bashkimit Evropian për vendosjen e misionit të saj në Kosovë, në funskion të rendit dhe të ligjit si dhe gatishmëria e NATO-s për të qëndruar në Kosovë, janë shumë të rëndësishme për hapat nëpër të cilët po kalon kosova. Ndërsa, që të gjithë jemi të inkurajuar nga gatishmëria e Prishtinës dhe e Beogradit për ruajtjen e paqes dhe shmangjen e aksioneve, të cilat do të prishnin paqen dhe sigurinë në rajon”.
Ndërsa, në urimin e të mandatuarit për qeverinë e re, Hashim Thaçi, ndër të tjera thuhet:
“Kosova e ka kaluar një vit të rëndësishëm përpjekjesh për të arritur synimet e saj, duke u përballur me sukses me të gjitha sfidat. Gjatë këtij rrugëtimi, u dëshmua edhe një herë pjekuria e qytetarëve tanë dhe vendosmëria për të krijuar një shoqëri demokratike, e cila I përmbush të gjitha parakushtet për të funksionuar e lirë dhe e pavarur”-
Ajete Beqiraj,DW