Fshati Debelldeh, ne brezin kufitar Kosove-Mal i Zi |
Një tatëpjetë zig zage e rrethuar me pyje con në Debellde, njeri ndër të 43 fshatrat e Vitisë, komunë në lindje të Kosovës. Rreth e qark këtij vendbanimi kodrinoro-malor shtrihet brezi kufitar Kosovë-Maqedoni, ku mbi 2500 hektarë të fshatrave të Kosovës për tetë vjet mbetën „tokë e askujt“.
Arif Iljazi |
„M´i kanë marrë maqedont nga kullosa dhjetë lopë e tri dhi edhe e kanë ndjek prindin tem me e vra!“,rrëfen Rrahim Ismajli, 30 vjecar, të 7 hektarët e tokës së të cilit shtrihen pikërisht në Kodrën e Furrës, ku është edhe thelbi i problemit, ndërkohë.
Në forma të tilla u penguan banorët e fshatrave të Kosoves nga pala maqedonase gjatë këtyre viteve, pas cdo tentimi t´i ofrohen pronës së vet. Dhe kjo, si pasojë e marrëveshjes Beograd-Shkup në vitin 2001, e cila u ratifikua në Këshillin e Sigurimit me c´rast Bashkësia Ndërkombtare shkeli Rezolutën 12/44, e cila garanton mbrojtjen e kufijve të territorit te Kosovës.
„Në bazë të asaj marrëveshjeje, 2500 deri ne 2900 hektarë tokë të Kosovës iu dhuruan Maqedonisë nga Serbia, me c´rast Debelldeut i kane humbur 429 hektarë“ -shpjegon Zymri Iljazi, anëtar pa të drejtë vote I Komsionit Ndërshtetor për Demarkacionin e Kufirit Kosovë-Maqedoni.
Rrahim Ismajli |
„Janë afro 17-të deri në 20-të hektarë, të cilët Maqedonia nuk është e gatshme t´ua kthej pronarëve të vet, edhe pse posedojnë me të gjitha dokumentet. Ata ngulin këmbë që definimi i kufirit të bëhet në pikën e njohur si Kodra e Furrës dhe 17 hektarë të Kosovës të kalojnë në anën e Maqedonisë“.
Këtë e konfimron edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi:
„Kontestohet se përkundër miratimit të komisionit të përzier Kosovë-Maqedoni, tani pala maqedonase ka ndryshu mendimin lidhur me Kodrën e Furrës, një majë e lartë në fshatin Debelldeh“.
Gjë të cilën banorët e këtushem e kundërshtojnë me vendosmëri:
„Ne pikat zero që thirren, tek „Kodra e Furrës“, „Rrafshi i Qeshmes“ dhe „Te Rogat“,nuk jane ngul gurët qysh kanë qënë në të 74-trën. Serbia ka mujt me ia dhanë dhe Vitinë, qysh ka provu me e marrë krejt Kosovën. Por, për tokat tona s´mund të vendos askush“-thotë 40 vjecari Burim Hasani, pronar i pesë hektareve tokë, i cili familjen 25 anëtarëshe e mban vetëm me pagën e mësuesit.
Zymri Iljazi |
Me 22 dhjetor 2008, banorët e fshatit Debelldeh të Vitisë, në shenjë revolte për vendosjen e pikës kufitare në vendin e quajtur Kodra e Furrës, patën nxjerur shtyllat e vendosura ne kufirin Kosovë-Maqedoni.
„Dhe, ato shtylla do të qëndrojnë të hequra derisa të arrinë një marrëveshje që të kthejnë ato 17-të hektarë. Sepse, Kodra e Furres i takon Debelldeut“,shpjegon përfaqësuesi i fshatit Zymri Iljazi, i mbështetur fuqishëm nga banorët e fshatit të tij, të cilët shprehen njëzëri:
“I kemi largu dhe s´do t´I lëmë kurrë aty se, ajo është toka jonë!”
“Është tokë e Kosovës të cilën e kemi mbrojt me gjak e me luftë!“
Si rrjedhojë, punimet për demarkacionin në Debelldeh tashmë janë bllokuar. Ndërsa, porosia e banorëve të këtushëm është e njëzëshme:
“Qeveria e Kosovës le t´kqyr me na e kthy tokën, gjithqysh!”,porosit Rrahimi.
Burim Hasani |
„ Po thonë se jemi të pavarur dhe me kontroll mbi gjithë territorin. E nuk është kështu!Presidenti dhe kryeministri le të marrin guximin që së paku t´ua tregojnë realitetin banorëve të Debelldeut!“,porosit Burimi.
„Këndej e shiten, vallahi…E shiten! Se nuk o konë kurrë presidenti me na pyet:“Ku je o fshatar, cfare halli ke? Pse një herë nuk erdh me e shkel qet tokë?!”,pyet Arifi.
Fshati Debelldeh i komunës së Vitisë i ka 499 banorë, me vetëm kater të punësuar, të cilët tash tetë vjet janë të privuar nga shfrytëzimi i pronës 429 hektarëshe e cila shtrihet përgjatë brezit kufitar Kosovë-Maqedoni. Megjithëse pronarë të hektarëve të shumtë por të mbështetur vetëm nga një ndihmë sociale prej 65 eurosh, banorët e këtushëm përballen me vështirësi ekzistence, edhe pse e drejta mbi pronën nuk shkelet në asnjë shtet demokratik në radhën e të cilëve synojnë të radhiten edhe Maqedonia dhe Kosova.