Arkivi

Shtëpi për 29 familje në Novobërdë

Komuna e Novobërdës
16 korrik 2019, Dojçe Velle. Së shpejti do të zgjidhet çështja e banimit për 29 familje shqiptare, serbe dhe rome të komunës së Novobërdës. Projekti gjysmëmilionësh do të financohet nga qeveria e Kosovës.

Një tatëpjetë zigzage në fshatin Bostan, çon në lagjen me baraka e shtëpi me qerpiç në të cilat jetojnë 13 familje rome në kushte të rënda sociale.

" Këtu ka familje me shtatë-tetë anëtarë që jetojnë në një dhomë. Atë dhomë e kanë banjo, kuzhinë e dhomë për fjetje. Pothuaj të gjithë jetojnë nga ndihma sociale, plastika e hekurat që shesin" -shpjegon Naser Jashari, përfaqësues i këtyre familjeve.

Në një oborr të vogël në të cilin vlojnë fëmijë të palarë e të veshur keq, gjejmë një grua të re teksa nxjerr ujë nga pusi.  " Jetojmë më mënyrë katastrofale, shtëpia vec kur t´na rrëzohet. Kam pese fëmijë të vegjël! Ujin po e nxjerrim me kazanë. Se cfarë uji po pimë, a e sheh? Fëmijët i kemi më shumë të sëmurë se shëndoshë"-rrëfen Afërdita Jashari, nënë e pesë fëmijëve.

" Jetoj në një dhomë tre me katër. Kallabllëk, pa ujë, pa banjë, pa kushte"- thotë Selver Jashari, 25 vjeç, baba I dy femijëve.

Në fshatrat Bostan dhe Llabjan janë gjithësejt 29 familje të cilat jetojnë në kushte të vështira banimi. Por, tani komuna ka zgjidhje, thotë kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri: " Kërkesa jonë gëzon mirëkuptimin e qeverisë, kështu që qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për ndërtimin e 29 shtëpive. Në fshatin Bostan do të jenë 13 shtëpi për familje rome, 8 për familje shqiptare dhe 8 për familje serbe. Që do të thotë se 77 banorëve të fshatit Bostan, nga gjithsej 263 banorë, do t´u regullohet çëshjta e banimit"- shpjegon kryetari Ymeri.

Njeri përfituesit e fshatit Bostan, do të jetë edhe serbi 70 vjecar, Velibor trajkovic: " Unë dua të falenderoj së pari komunën që më ka propozuar, por edhe qeverinë e Kosovës e cila ka ndarë buxhetin. Sepse, nuk është pak që vetëm në territorin e komunës sonë të ndërtohen 29 shtepi. Dhe une jam shumë mirënjohës sepse kjo shtëpi do të jetë një lehtësim I madh në jetën time".

Ramiz Jashari 29 vjecar është baba I pesë fëmijëve: " Vallahi mos pyet! Vec ishalla na bahet qekjo shpi, se me fmi në një dhomë, pa banjo pa kurrgja...!"

Përfaqësuesi Naser Jashari drejtohet me lutjen për shpejtimin e punimeve para se të fillojë moti I ftohtë: " Se ka familje që i kanë shtëpite e vjetra dhe ato shtëpi duhet të prishen. E tash,edhe nëse rrinë jashtë për pak kohë, moti është i nxehtë" - thotë ai.

Projektin multietnik për ndërtimin e 29 shtëpive për shqiptarët, serbët dhe romët e Novobërdës do ta financojë qeveria e Kosovës. Projekti prej 500.000 euro do të udhëhiqet nga Ministria e Shërbimeve Publike, 465.542 euro do të mbulohen nga qeveria e Kosovës, 74.809 euro nga qeveria norvegjeze dhe 3.000 euro nga Kuvendi Komunal i Novobërdës.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW