(Foto DW) |
Moti me borë e sqotë dhe rrugët e rrëpirëta të Arbërise, lagje kodrinore në perëndim të Prishtinës në të cilën gjenden disa prej ambasadave të huaja në Kosovë, as sot nuk ishin pengesë për qytetarët të cilët kishin ardhur nga anë të ndryshme për të vazhduar procedurën për marrjen e vizave. Ndër ta është edhe Isak Regja, 68 vjec nga Ponasheci i komunës së Gjakovës, i cila ka kaluar qindra kilometra me shpresën se sot do të marr vizën për Gjermani.
Isak Regja pret pergjegjen per vize |
“Po du me shku te dhëndërri. Kjo është hera e tretë, një herë për termin, një herë me i dorzu dokumentet dhe sot e pres përgjegjen. Qekjo na mori n´qafë si po duhet me u end. 60 euro vc benzin m´kanë shku e mandej edhe dokumentet: qertifikatë e lindjes, e martetsës, e familjes, tatimi në pronë. E n´fund, a ma japin-a s´ma japin?!” thotë z.Regjaj, të cilin e gjejmë në një kafene pranë ambasadës teksa pret orën 14-të për të marr përgjegjen për vizën.
Në borë e në vapë në pritje për marrjen e vizave
Sipas Zyrës së Shtypit të Ministrise Federale të Punëve të Jashtme Gejrmane, me seli në Berlin, “Dokumentet të cilat duhet kompletuar secili aplikant për vizë drejt Gjermanisë janë jo vetëm të dhënat e qëllimit të udhëtimit, por buxheti i mjaftueshëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të jetesës, si dhe gatishmërinë për të lënë territorin e shteteve të Shengen-it para skadimit të vlefshmërisë së vizës”. Ismet kryeziu, 39 vjecar taksist nga Kamenica, qe disa herë kalon rrugën 60 kiloemetërshe, me dëshirën që ta vizitoj motrën në Gjermani. Por, duke pasur parasysh moshën e tij, ai është i përgatitur edhe për refuzimin e vizës nga ambasada gjermane, në oborrin e së cilës tash po pret në radhë.
Ismet Kryeziu, aplikues per vize |
“Paj, edhepse ktu ish problem ta marr vizën. Jam ardhë qe tri-katër herë se m´u deshën disa dokumente. Ato që u deshën i bana, motra atje i plotëson kushtet edhe unë punoj këtu qe 18-të vjet e shpresoj më lëshojnë vizën. Po, mos ma dhënqin, unë kthehem e kurrgja kurrkujt. Jo, nuk provoj më, se shpenzime, e larg e ftohtë”, thotë z.Kryeziu.
Procedura dhe kostoja e udhëtimeve problem shtesë për qytetarët
Procedura e gjatë e regjimit të vizave dhe kostoja e shumëfishtë për sigurimin e dokumenteve dhe udhëtimet, janë arsye e mjaftueshme që shumica e qytetarëve të Kosovës të mos provojnë të udhëtojnë jashtë shtetit. Artani 32 vjecar, megjithëse i ri, po për këto arsye nuk ka provuar të vizitojë vëllezër e motra të shkapërderdhur nëpër disa shtete të Evropës.
Rruget e ambasadave jane plot edhe ne dimer |
“Jo,asnjëherë nuk kam qënë diku tjetër, vec n´Turqi e n´Shqipëri, se s´po na i japin vizat. Para tri vjetëve kam provu për Zvicër e s´ma kanë dhanë, s´na kanë dhanë për Zvicer. Pas ksaj s´kam provu ma se edhe po shpenzojmë, edhe s´po na i japin vizat. Keq për ne...”, thotë Artani. Përderisa, Hyseni, 40 vjecar, pas një tentimi të kotë për të udhëtuar për në Amerikë, s´ka provuar më kurrë.
“Kam provu me udhtu n´Amerikë, s´ma kanë dhanë vizën. E ma s´kam provu. Ma mire o konë me ba liberalizimin e vizave. Atëherë i kisha vizitu vllaznit e mi, dy n´Francë, një në Itali e një në Gjermani. Edhe kisha punu ndoshta...”, thotë Hyseni, i cili sa po kthehet nga ambasada italiane ku kishte qënë me një të afërm të tij.
Qytetarët e Kosovës ndjehen të izoluar
Pritje te gjata edhe ne bore |
Kosova, me 19 janar të këtij viti filloi zyrtarisht me BE-në dialogun për liberalizimin e vizave. Por, edhepse ka plotësuar shumë kushte, edhe shumë të tjera duhet plotësuar. Dhe kjo kërkon kohë. Ndërsa qytetarët e Kosovës ndjehen të izoluar dhe të diskriminuar karrshi fqinjve të shteteve të rajonit.
”Se cdo qytetar ka të drejt të jetojë i lirë e të lëviz kah të dojë. Kshtu ka qënë edhe para lufte. Pra, kemi qënë të lirë edhepse nuk kemi plotsu kurrfarë kushtesh...”, mendon z.Kryeziu.Sipas Artanit, liberalizimi i vizave do të ndryshonte shumëcka.
“Do t´shkoja t´vizitoja vëllaun, motrën e tetanë në Zvicër e Gjermani. Ishalla don Zoti sa ma shpejt bëhet liberalizimi, edhepse një herë s´po dihet kurrgja...”.
Për 68 vjecarin Regjaj do t´ishte një gëzim i madh dhe mundësi e mirë që festat t´i kalojë së bashku me të bijën ne Gjermani. “Vec e kisha nxjerr biletën e kisha shku. Ma s´shumti verës e n´festa, se dalim me shetit”. Përderisa, mesazhi i z. Kyeziu është që:
“Mos t´na vonojnë kaq shumë se boll kena vujt. Le t´na lënë të lirë, se asnjë popull n´botë s´është e drejt të izolohet”.
Fluksi me i madh ne stinen e veres |
Kosova ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor i cili i nënshtrohet regjimit të vizave. Pas hapjes së dialogut për viza me Kosovën pritet udhërrëfyesi me kushtet që Kosova duhet plotësuar, si: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigrimit, sigurimi i rendit dhe ligjit dhe i sigurise publike, mbrojtja e pakicave, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. Deri në përmbushjen e këtyre kërkesave, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mblidhen para dyerve të ambasadave me shpresen që si evropianët më të rinj së shpejti të mund të lëvizin lirshem si cdo qytetar tjetër në botën e qytetëruar.