Papunesia, presion per migrimin e qytetareve te Kosoves |
Hedije Q., nga komuna e Pejës, të birin dhe dy nipa i ka përcjellur nga shtëpia para një muaji. Për ku, s´e din as vet?E di vetëm se ka dhënë më tepër se kishte, për të lëshuar djemtë në duar të trafikantëve në një rrugë pa krye. “Janë nis nga Prishtina n´Suboticë e prej atje, n´Hungari. Me 13 korrik kanë mbërri në Francë e jane lajmru azil. Lidhje pas lidhje i kemi cu, nuk di as vet si as me kënd? I kemi pagu nga 2000 euro për të tre. Unë i shita katër lopë me ia ba paret që i duheshin. Udhëtimi ka zgjat 6 ditë e netë. Kanë vuajt boll, nëpër male e nëpër ujë, si asht ma zi...Me një fjale, djali im e dy djemtë e vëllait m´kanë lindë për së dyti!”, rrëfen Hedija për të pyetur e dëshpëruar:”E cka me ba kur rrugë tjetër nuk patën?Të tre të rinj, prej 17 deri në 22 vjec. Kushte të rënda ekonomike, pa mundësi shkollimi, pa mundësi punësimi, pa kurrfarë perspektive!”
Migrimi nga Kosova s'është rrugë-Qëndrimi pa perspektivë
Sipas Ministrisë për Integrime Evropiane, informata për rritje të numrit të azilkërkuesve vinë nga Hungaria, ku vetëm në periudhen janar-qershor 2013, numri i ka arritur në 4000, dia prej të cilëve kanë dalë në Francë, Gjermani, Suedi, Austri e shtete tjera. Por, asnjëra nga arsyet që shtrojnë shtetasit e Kosovës tek vendet përkatëse nuk është e mjaftueshme për të fituar mbrojtje humanitare ndërkombtare për faktin se Kosova llogaritet një vend i sigurtë dhe i qete ku respektohen të drejtat e cilitdo individ dhe komunitet, thonë nga Zyra për Informim e Ministrisë për Integrime Evropiane.“Nëse një person ose familje ka gjëndje të rëndë ekonomike, migrimi ilegal nuk do t´ua zgjidh problemin. Përkundrazi, do ta përkeqësojë gjëndjen, meqënse mjetet financiare që ata do ti shpenzojnë për të migruar ilegalisht do t´i humbin sepse shtetet BE-se nuk konsiderojnë që kosovaret kualifikohen për mbrojtje humanitare ndërkombetare”, thone nga kjo zyre.
Aktivitete në parandalimin e migrimit
Fushata informuese rreth pasojave të migrimit ilegal është njëra ndër format e parandalimit të kësaj dukurie. Institucionet për parandalimin dhe luftimin e kontrabandimit me migrant po ndermarrin hetime për të ndalur dhe arrestuar trafikantët, në cfarë rol të rëndësishëm ka bashkëpunimi rajonal dhe nderkombetar. Ndërsa, ndër aktivitetet e planit afatmesëm janë zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve, hapja e vendeve të punës për të rinj, ofrimi i ndihmës sociale për nevojtarët, thonë nga Zyra për Informim e Ministrisë për Integrime Evropiane.„Sipas informatave që kemi, ditëve të fundit ka një rënje të theksuar të migrimit ilegal dhe kjo na ben optimist. Përndryshe, të gjithë ata që migrojnë ose qëndrojne ilegalisht do të riatdhesohen shume shpejt pasi që Kosova gëzon reputacion si vend i sigurtë dhe mbi këtë bazë, edhe kosovarët nuk kualifikohen për mbrojtje humanitare ndërkombtare“.
Kosova i ka mbi 20 marrëveshje riatdhesimi
Kosova aktualisht ka mbi 20 marrëveshje riatdhesimi, ndaj personat që kerkojne azil ose qëndrojnë ilegalisht brënda një afati të shkurtër do të riatdhesohen. Autoritetet kosovare vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e trafikantëve duke marrë rrugën e migrimit ilegal, meqënse shtetet përkatese do t´i rikthejnë prapë në Kosovë. Kështu do të ndodh shume shpejt me migrantët e lajmruar në Hungari, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. “Procesi i kthimit të tyre bëhet duke u bazuar në Marrëveshjet e Ri-pranimit. Pra, e tërë procedura zhvillohet me kërkesë të shtetit përkatës, i cili kërkon ri-pranimin e shtetasve që kane hyrë dhe qëndrojnë paligjshëm. Gjatë kësaj jave me rrugë ajrore pritet të realizohet kthimi i 100 personave nga Hungaria. Kështu do të vazhdojë kthimi në vazhdimësi. Procedura e kthimit është e shpejtë dhe efektive. Me t'u pranuar kërkesa në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion fillon verifikimi i tyre në bazën e te dhënave për të vërtetuar shtetësinë e Kosovës dhe menjëherë i kthehet përgjigja pozitive për konfirmimin e riatdhesimit”.
Qeveria e Kosovës me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës po koordinojnë veprimet për kthimin e azilkërkuesve që tashmë kanë mbërritur në vendet e Evropës si dhe parandalimin e këtij fenomeni. Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur shqetësimin në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve ilegalë nga Kosova drejt vendeve anëtare të BE-së. Sipas ekspertëve, arsyet kryesore të rritjes së fenomenit të migrimit janë ekonomia e dobët dhe papunësia enorme. Ndërsa, përmbushja e planit të veprimit për liberalizimin e vizave do të ndikonte në ndaljen e trendit të azilkërkuesve nga Kosova.