5 gusht 2007, Dojçe Vele & Radio Kosova, Procesi i kthimit në komunën e Klinës ka filluar që në vitin 2002. Përveç komunitetit boshnjak, rom, ashkalijë dhe egjiptian në masë të madhe janë kthyer edhe pjesëtarë të komunitetit serb. Kthimi në zonat rurale të Klines, së pari filloi në fshatrat Bixhë dhe Grapc me mbështetjen e UNMIK-ut dhe të THV-së gjermane. Por, banorët e këtushem edhe më tej udhëhiqen nga Beogradi.
„Nuk e çmojnë vet Kuvendin Komunal. Udhehiqen drejtpërdrejt nga Beogradi. Për çdo vizitë apo takim, duhet ta pyesin Beogradin në duhet mbajtur apo jo, për dallim nga fshatrat e tjera që janë të kthyera kah realiteti i ri në Kosovë“- thotë Besim Ukaj, nga Këshilli Danez për Refugjatë, e cila organizatë bëri kthimin e parë brenda qytetit të Klinës. -Nuk i pranojnë institucionet e Kosovës.
„Situata është e rëndë. Serbët në asnjë mënyrë nuk mund të lëvizin pa përcjellje. Si mund të themi se kemi lëvizje të lirë, kur as ju s’mund të vini tek ne pa përcjellje të policisë apo të ushtrisë“-thotë përfaqësuesi i fshatit Bixhë, Milan Donçiç.
Por, a kanë nevojë për mbrojtje serbët e Bixhës dhe të Grapcit?
„Ata as nuk ishin të sulmuar ndonjëherë! Por, kushti i parë për kthim i këtyre dy fshatrave ka qënë kërkesa për të qënë të ruajtur nga forcat e KFOR-it. Dhe kështu, ata edhe kanë kanë mbet të izoluar dhe jashtë realitetit kosovar, për ndryshim nga fshatrat Vide, Dresnik, etj. që janë të hapura dhe kanë lëvizje të lirë“-thotë Besim Ukaj, nga Këshilli Danez për Refugjatë.
Po marrëdhëniet ndëretnike si janë?
“Kurrfare! Sepse, shqiptarët nuk duan-përgjigjet z. Donçiç, Ata, vetëm kur janë vetëm na flasin, por me t’u bërë dy, nuk na flasin më. Unë, që nga kthimi im, në vitin 2002, përmes organizatave ndërkombtare po kërkoj takim me ta. Por ata nuk kanë pranuar!”-përgjigjet Milan Donçiç.
Plaku shqiptar, Azem Hyseni:
„Njëçind herë iu kam thanë: „Hiçnu Serbisë. Ik prej dikujt që të bën sherr! Ju ktu doni me rrnue, këtu e keni tokën. Si e keni fituar ju e dini… Por, hiçnu Serbisë se nuk e duam dhe fund! Na I ka vra 20 mijë veta, na I ka çu e fut në dhe në Beograd. Duhet me e ditë edhe Evropa e tetanë se çka na kanë ba… Nuk kam qejf me dëgjue Serbinë tuj folë për ne as mirë se le mo keq. Nuk e duam Serbinë! E, serbët që kanë jetue këtu le të vinë të jetojnë, të punojnë. Kush nuk i nguc!“
Por, jo të gjithë serbët e kthyer kanë nevojë për këshillat e plakut Azem. Leposava Dashiç, bashkëfshatare e tij, është e hapur për bashkëjetesë me shqiptarët:
"Ne kemi jetuar me shqiptarë dhe do të jetojmë edhe më tutje. Në nuk I frigohemi njëri tjetrit. Përse? Kam lëvizje të lirë. Tash sa erdha nga tregu. Kështu kam bërë qëprejese jam kthyer. Duhet të presim pak që të bëhet mirë për të gjithë, pa dallim!"
Komuna e Klinës vazhdon përpjekjet për kthim, duke premtuar se do të mbështes çdo proces që është në interes të qytetarëve të saj-premton kryeshefi I ekzekutivit, Shpend Tërdeva. Tashmë në mes të Kuvendit Komunal të Klinës dhe të qeverisë së Kosovës, u bë nënshkrimi I një marrëveshjeje tjetër për kthim. Projekti “Klinavci 2” parasheh ndërtimin e 19 shtëpive: 15 për serbët, 2 për shqiptarët dhe 2 të tjera për ashkalijë. Ky projekt, për të cilin qeveria e Kosovës do te investojë 450 mijë euro, është I treti me radhë I mbështetur nga vet Kuvendi Komunal. Një mundësi reale për procesin e kthimit dhe një arsye më shumë për të fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombtare dhe të qeverisë-mendon ministri për kthim dhe komunitete, Mirosllav Grbiç.
“Dua t’I inkurajoj të gjithë të zhvendosurit se në Kosovë është klima dhe koha për t’u kthyer të qetë në vatrat e veta”.
Deri më tash, në komunën e Klinës janë kthyer mbi 300 familje me afro 700 banorë. Ndërsa, projekti tjetër të cilin kjo komunë do ta realizojë në bashkëpunim me DRC-në, është ai I fshatit Berkovë, ku me buxhetin e Kosovës do të ndërtohen edhe 19 shtëpi.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele