Arkivi

Serbët kundërshtojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e paralajmëruara

21 gusht 2007, Dojçe Velle. Për komunitetin boshnjak, turk, rom, egjiptian e ashkalij në Kosovë pjesëmarrja në zgjedhjet e paralajmëruara në vjeshtë është e vetëkuptueshme. Pse serbët e Kosovës nuk e duan pavarësinë dhe ngurrojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e vjeshtës, ja disa prej arsyeve.


„Përse? Për kënd të votoj?!“ 

Këtë përgjigje e dëgjon shpesh nga serbët e Kosovës, kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Dyshimi vazhdon të jetë i pranishëm në mesin e këtij komuniteti që ndodhet mes kundërshtive. Ndërkohë që komunitetet e tjera tek pavarësia e Kosovës shohin shpresën e ardhmërisë, për serbët, me pavarësinë e Kosovës përfundon çdo gjë.

„Nëse Kosova bëhet e pavarur, s´na mbetet tjetër veç se të ikim, sepse… vie në pyetje mbijetesa jonë! Për çfarë të votoj? Që të behet edhe më keq?!”-thotë Bogosav Jovanoviç, nga Gorazhdevci, i papunë cili bashkë me të ëmën merr ndihmë sociale nga Serbia.

Gorazhdevci është fshat multietnik rreth 7 kilometra larg nga Peja, në të cilin jetojnë komunitete të ndryshme: „Këtu ka nga të gjitha kombësitë dhe kalojmë shumë mirë. Nuk kemi probleme dhe secili shikon punën e vet“- thotë Hidajete Bytyqi, ashkalij nga Gorazhdevci.

Javën e kaluar, zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Stiven Shuk vizitoi fshatin Gorazhdevc, për të inkurajuar serbët e këtushëm të dalin në zgjedhje. Ndërsa në fundjavë, përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, iu bëri thirrje serbve të dalin në zgjedhje.

Leposava Kollashinac as ka votuar as nuk do të votojë: “Nuk kam votuar për asnjëri, sepse për mua nuk ishin të mire as tanët. Bile, derisa sa të shoh se po bëhet mirë, s´do të votojë për njërin as për tjetrin! Ndoshta do të jetojë edhe pesë vjet apo dhjetë, ndoshta do të vdes që tani. Por, ta di se po jetoj. Ta kem lirinë, se për popullin me e mira është liria. Ndërsa, kjo që kemi tash nuk është e mirë për asnjëri!“

Leposava Kollashinac nuk do të jetonte dot në një Kosove të pavarur sepse, “asgjë nuk është siç ishte dikur”. Por, nuk do të jetonte as në Kosovën e dikurshme!-sepse, shton ajo:

„Se, asgjë nuk më ka dhënë kurrë! Asnje djalë imi nuk ka punuar kurrë në Kosovë. Dikujt i jepnin kredi, ua ndërtonin shtëpitë, u jepnin bagëti me nga pesë herë, ndërsa unë asgjë nga këto s´pashë asnjëherë me sy. Ajo qeveri nuk ishte nuk më dha asgjë. As sot nuk është mirë. Dikush jeton siç nuk ka jetuar kurrë dhe ka të holla si s´pati asnjëherë. E mua nuk ma dhanë as edhe një pulë të çalë!”

Çfarë dëshirojnë serbët në Kosovë para fillimit të raundit të ri të bisedimeve shqiptaro-serbe?

Së shpejti pritet të fillojnë bisedimet e reja për statusin e Kosovës. Ata kanë porosi për të dyja qeveritë. „Që të merren vesh ndër vete. Kur të pajtohen ata, populli do të pajtohet menjëherë. Se, të varferit kënaqen me pak gjë. Janë të mëdhenjtë që s´i ngop njeri. Sa më shumë marrin aq më shumë kërkojnë!“-thotë Leposava Kollashinac.

“Që të bisedojnë bashkë ditë e natë, Çeku dhe Koshtunica, Tadiçi dhe Sejdiu e të merren vesh që ne të jemi të sigurt dhe të jetojmë në fqinjësi me shqiptarët. Që të ikën një herë e përgjithmonë kjo 
stuhi frike. Të fillojmë e të jetojmë normalisht e në paqe. Asnjeri nuk duhet të largohet prej Kosovës. Këtu jemi me shekuj të tërë dhe nuk duhet të ketë largim!”-mendon Bogosav Ivanoviç.

Ndërsa Bojana Stankoviç thotë: “Ata që i kanë ngatërruar gjërat, le ta gjejnë fijen. Por, vetëm vrasje të mos ketë më! Sepse, nuk do të shkojnë njerëzit kokë për kokë, por do të pësojnë të pafajshmit e fëmijët tanë“

Ndërkohë, makina të KFOR-it dhe të SHPK-së patrullojnë papushim në rrugën e këtij fshati multietnik ku dominon pakica serbe. Një grup burrash rri buzë rrugës nën hije. Një ashkalij i vogël me një vogëlush shqiptar në shalë të biçikletës, çon para nesh re pluhuri. Nikoqiri serb, na përcjell me lutjen t´i gjejmë nuse shqiptare. Restorani pret mysafirë të të gjitha kombësive. E ky imazh ngre pikëpyetje të njëpasnjëshme: Kush bart përgjegjësinë për paqartësinë e vazhdueshme të këtyre njerëzve?

Ajetë Beqiraj, DW