Deputeti Xhevdet Neziraj
|
1 prill 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Kthimi i të zhvendosurve, mbrojtja e të drejtave të pakicave si dhe riintegrimi i tyre ne shoqërinë kosovare, janë ndër prioritetet e qeverisë së Kosovës të cilat vinë edhe nga Pakoja e Ahtisarit. „Mirepo, qasja ndaj pakicës serbe dhe pakicave jo serbe në Kosovë, dallon në thelb-thonë përfaqësues te pakicave joserbe në Kosovë.
„Nga komuniteti serb udhëhiqen: Komisioni për Komunitete në Kuvendin e Kosovës; dy ministri; Këshilli Konsultativ për Komunitete dhe Zyra e Kryeministrit për Komunitete. Këto dëshmojnë se sa I privilegjuar është ky komunitet në raport me komunitetet e tjera. Dhe, edhe pse ky komunitet nuk integrohet fare ne shoqërinë kosovare por udhëhiqet nga Beogradi, prapë se prapë ndaj tyre ka lëshime në investime. Në ekonomi, në hapje të vendeve të reja të punës, në shtyrjen e tyre pozitive në shumë institucione, qoftë vendore apo ndërkombtare, për dallim nga komunitetet e tjera që janë harruar tërësisht“-thotë për radion tonë Xhevdet Neziraj, deputet i partisë egjiptiane “Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës”.
Dhe kjo nuk do duhej të ndodhte në një shtet që synon të ndërtohet mbi standarde demokratike- thotë Gani Toska, kryetar i Iniciativës së Romëve të Kosovës, sipas të cilit të kthyerit e këtij komuniteti jetojnë në kushte të rënda sociale përderisa të tjerët jetojnë si të zhvendsour në kampe refugjatësh, siç janë kampet në Mal të Zi.
„Ne e dimë se si jetojnë edhe komuniteti serb nëpër enklava. Por, ky nuk është faji i komuniteteve të tjera! Është faji I vet serbve, sepse dihet kush ka luftuar, përse ka lufutar dhe kush ishte shkaktar i luftës në Kosovë... Për këtë janë dëshmitarë Evropa dhe bota“.
Në vitet e fundit është bërë shumë në qështjen e kthimit të të zhvendosurve, në Kosovë. Deri më tani, vetëm në komunën e Pejës janë kthyer afro 2000 të zhvendosur, mbi 700 prej të cilëve serb. Por, përderisa komunitetet e tjera jetojnë në kushte të rënda e shumë prej tyre edhe më tej janë të pastrehë, lagje të tera serbe me shtëpi dhe infrastrukturë përcjellëse, vazhdojnë të qëndrojnë të boshatisura. Sllobodan Petroviç, shef i nënzyrës për Komunitete në Kuvendin Komunal të Pejës, sjell arsyet e kësaj dukurie:
„Shtëpitë ndërtohen dhe serbet kthehen dhe provojnë të jetojnë në Kosovë. Por, pas një kohe ata ikin serish sepse këtu nuk mund të gjejnë veten. Kemi fshatra ku janë ndërtuar me 70 shtëpi, siç është rasti i Bellopojës, mirëpo nuk janë të banuara as 20 prej tyre. Prandaj duhet t´iu qasemi qështjeve seriozisht që të mund të zgjidhim problemet e tyre jetësore“.
Sllobodan Petrovic
|
Dhe ketu, komuniteti turk përballet me një problem edhe më të rëndë; zhvendosjen përbrënda vendit-thote Ergin Kala, nga kryesia e Partisë Demokratike Turke, i vetmi subjekt politik i cili përfaqëson komunitetin turk në Kosovë.
„Problem serioz është kthimi i turqve në veriun e Mitrovicës, të cilet tash dhjetë vjet jetojne me qira në pjesën jugore dhe nuk lejohen të kthehen në pjesen veriore ku I kanë pronat. Pra, edhe ne si shumica shqiptare përballemi me problemin e njëjtë: rikthimin e banorëve turq në pronat e veta në veriun e Mitrovicës të banuar nga serbët“.
Në Kosovë, para luftës së fundit jetonin rreth 120 mijë pjesëtarë të komunitetit boshnjak dhe tashmë janë përgjysmë më pak. Por, krahas problemeve jetike, përfaqësues të këtij komuniteti insistojnë në prezencën e tyre si komunitet në Kosovë. Qemal Kurtishi, zëvendëskryesues i Asamblesë Komunale, në Prizren thotë së:
„Ndër të tjera, ne kemi kërkuar përfaqësimin e gjuhës sonë edhe në emblemë të komunës, sepse unë thjesht ndjehem më i sigurt kur shoh gjuhën boshnjake në Logo-n e komunës sime“.
Se kthimi i qëndrueshëm, riintegrimi, arsimi në gjuhën amtare dhe papunësia janë probleme të përbashkëta të këtyre komuniteteve, është e qartë. Por, me këtë rast nga pakicat joserbe në Kosovë vie një thirrje e përbashkët për pak më shumë vëmendje si nga qeveria vendore poashtu edhe nga bashkësia ndërkombtare, në mënyrë që në të ardhmen pikërisht ata të mos bëhen një sfide e re për shtetin e Kosovës.
Ajete Shaban Beqiraj,Dojce Vele & Radio Kosova