30 dhjetor 2010, Dojce Vele, Këshilli Rajonal pas mbledhjes së 1 milionë nënshkrimeve do të kërkojë nga parlamentet e rajonit themelimin e Komisionit i cili do të punonte në zbulimin dhe publikimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë
Nisma për themelimin e Komisionit Rajonal për ndriqimin dhe publikimin e fakteve për Krimet e Luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë (KOMRA), ka filluar nga tri OJQ: nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dheSerbia, të cilave ndërkohë iu kanë bashkangjitur mbi 1000 organizata dhe individë të profileve të ndryshme nga të gjitha shtetet e rajonit. Prej vitit 2006, kësaj nisme i janë bashkangjitur edhe organizata të shumta nga Kosova, 16-të prej të cilave vetëm nga Rajoni i Pejës. Ndër to është edhe OJQ “Syri i Vizionit”. Drejtori i saj Veton Mujaj, është njëri ndër anëtarët e Këshillit Qendror Rajonal për themelimin e KOMRA-s.
Komisioni i së vërtetës
“Ideja kryesore ka qënë zbardhja e fakteve të luftës në ish-Jugosllavi. Mirëpo, kjo nismë ka evaluuar gradualisht dhe është kthyer në idenë për themelimin e një komisioni mbi të vërtetën...I një Komision Rajonal i vendeve të ish Jugosllavisë të cilët do të arrinë t´i zbardhin faktet për krimet dhe gjithë atë që ka ndodh prej vitit 1991 deri në vitin 2001 në luftërat e ish Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe Maqedoninë”, thotë drejtori Mujaj.
Fondi për të Drejtën Humanitare ishte ndër tri OJQ-të e para që inicoi këtë projekt. Bekim Blakaj, shef i zyrës në Prishtinë thotë se:„Duke pasur parasysh faktin se organizata jonë në Kosovë deri më tani ka evidentuar me emër dhe mbiemër rreth 14 mijë viktima, të vrarë dhe të zhdukur gjatë viteve ´98-´99 dhe nga ana tjetër, se nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë, atëherë familjarët nuk janë të kënaqur aspak dhe nismën tonë e shohin si mundësi mundësi për ta sjell drejtësinë në vend. Sepse, në fokus të saj janë viktimat dhe familjet e tyre”.
Vetëm dhjetëra aktvendime për krimet e luftës në Kosovë?
Takimet e rregullta konsultative nëpër shtetet e rajonit, në nivelin lokal, qendror dhe rajonal, kanë për qëllim verifikimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Atdhe Berisha, drejtor i organizatës joqeveritare “Kalaja” brënda koalicionit për KOMRA, të cilit forcat serbe ia kanë vrarë 4 anëtarë civilë të familjes dhe nuk është i kënaqur aspak me drejtësinë, thotë se: “Në takimin më të fundit në Prishtinë, në iniciativën për KOMRA kanë marrë pjesë edhe nga komunitete të tjera. Dhe, edhepse ende nuk janë shuar ato ndjenjat e vjetra dhe herë-herë flitet për politikë, arsyeja kryesore e takimeve tona është që politikën ta lëmë anash dhe të fillojmë të mendojmë se si të gjejmë sa më shumë dëshmitarë të cilët do të ndihmonin që kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë”.
Kthim dinjiteti dhe qetësim shpirtërash
Meqënse luftërat në territorin e ish-RSFJ-së karakterizohen nga krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut; duke vërejtur se gjykimet në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe ato në gjykatat tjera nuk përmbushin në masë të duhur nevojën e viktimave për drejtësi si dhe me kundërshtimin e fuqishëm ndaj keqpërdorimit të viktimave për qëllime politike, iniciativa për themelimin e KOMRA-s do të mundësonte shënimin e saktë, zyrtar dhe objektiv për krimet e luftës si dhe pranimin e viktimave dhe vuajtjeve të tyre-thotë z.Mujaj.
“Mandati ose forma se si do të funksionojë komisioni, është përgatitur si dokument dhe së bashku me një milionë nënshkrimet që të mblidhen në muajin mars-prill, në qershor do t´iu dorëzohen secilit prej parlamenteve të vendeve të dala nga ish-Jugosllavia. Pastaj, mbetet detyrë e parlamenteve dhe shtetet të përcaktojnë njerëzit e vet që ky komision të krijohet realisht. Një proces i tillë do të mundësonte gjetjen e kriminelëve të cilët do të burgoseshin dhe do të jepnin fakte mbi atë se ku janë edhe njerëzit e pagjetur. I gjithë ky proces do të ndihmojë shumë jo vetëm në pajtim por edhe në qetësimin e shpirtërave të familjeve të viktimave”.
Histori e re për hir të brezit të ri
Por, ende nuk ka një nismë për shkrimin e historisë më të re 1989-2001 nga historianët e vendeve të dala nga ish Jugosllavia, në mënyrë që brezi i ardhshem të mos ushqehet me informacion të rrejshëm. Një nismë, të cilën Kosova do ta mirëpriste dhe do ta përkrahte-thote prof.dr. Isuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës.
“Sic dihet, Kosova nuk ka pasur mundësi të ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe as nuk do të arrinte të gjente mirëkuptimin e vendeve të tjera të rajonit. Por, ne do ta mirëprisnim një iniciativë të tillë prej ngado që do të vinte, sepse për neve do të ishte me interes për arsye se Kosova në këtë project do të kishte një hise të konsiderueshme”.
Shpërbërja e mozaikut të RSFJ-së me gjashtë republika socialiste dhe dy krahina autonome, filloi me 1989, me heqjen e autonomisë së Kosovës. Konfliktet e armatosura në Slloveni dhe Kroaci me 1991, të cilat do të shtrihen nëpër republikat e tjera dhe do të vazhdojnë deri me 2001, shëonojnë fillimin e shkëputjeve të përgjakshme të vendeve nga kjo federatë-socialiste e cila do të lere pas vetes qindra-mijëra viktima.