Arkivi

Vetem 10 aktvendime per krimet e forcave serbe ne Kosove

 5 janar 2011, Radio Kosova, Pwr të mijëra viktimat e vrara, të masakruara dhe të humbura në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë. 
 Banorët e fshatit Qallapek, reth 17 kilometra në juglindje të Pejes, ende kujtojnë tmerrin e 28 marsit të vitit 1999, kur mllefi nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe do të shfryhej mbi popullatën civile. Atdhe Gashi, i cili kishte mbaruar studimet për agjent tregtar në Gjermani dhe atëbotë po punonte në Mynih të Bavarisë, rrëfen për fatin e familjes së tij. 


“Te familja jonë, sulmi nga forcat serbe ka ardhë I paparalajmëruar. Pasi që kane djeg shtepitë dhe kanë has në rezistencë të babës dhe të axhës, sipas të gjitha gjasave, pas dy orësh ata të dy janë vra. Më vonë, për të kuptu për fatin e tyre janë kthy edhe dy gratë e axhës, të cilat janë vra poashtu. Jo, ata që të gjithë kanë qënë civil!“

Familjet e viktimave njohin ekzekutuesit e familjarëve të vet

 Mirëpo, fatkeqësia dyfishohet, kur ekzekutuesit e familjes deri dje jetonin vec një fshat matanë-thotë Atdheu dhe shton:„Vrasësit e familjes sime vinë nga fshati Rasuja, në anën tjetër të malit nga fshati Qallapek. Ata njihen dhe kjo është cfarë na mundon më së shumti...Sepse, gjatë gjithë kohës mendon se ata që kanë bërë krime sot janë të lirë. Dhe, kjo është me të vërtet e tmerrshme”.

Masakra e Qyshkut është njëra ndër masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe në Kosovë, kur nga njësia paraushtarake „Qakallët“ u ngujuan, u ekzekutuan dhe u dogjën 44 civile shqiptarë. Zyrafete Gashi në këtë masakër i ka humbur 17 anëtarë të familjes.
“Njerëzit e mi kanë qënë në shtëpitë e veta, ku kanë strehuar edhe njerëz të tjerë. Me 14 maj 1999, forcat serbe kanë ardhë heret në mëngjes I kanë grumbulluar, I kanë ndarë në tri grupe, I kanë shti në tri shtëpi, I kanë masakru dhe n´fund I kanë djeg…Që të gjithë kanë qënë civil”, rrëfen Zyrafetja, sipas së cilës edhe vrasësit e banorëve të Qyshkut njihen nga banorët e këtushëm-Vrasësit kanë qënë banorë të fshatrave përreth. Thonë se kanë qënë nga Nakulla e Nabergjani, mirëpo ne kemi pas afër edhe fshatin Gorazhdevc, që është I banuar me serb”.

Banorët e Qyshkut nuk i besojnë drejtësisë së Beogradit

Me 20 dhjetor, në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd, ka filluar procesi gjyqsor kundër nëntë pjesëtarëve të njësisë „Qakallët", të cilët ngarkohen me akuzën se me 14 maj 1999 në Qyshk të Pejës kanë vrarë 44 civilë shqiptarë, kanë djegur mbi 40 shtëpi dhe kanë plaqkitur dhe dëbuar reth 400 civile shqiptarë. Me të njëjtën akuzë ngarkohen edhe 17 të tjerë kundër të cilëve është shpallur fletearrest ndërkombtar, përderisa Zoran Obradovic, njëri nga të dyshuarit kryesor të Masakrës se Qyshkut, këto ditë është arrestuar në Gjermani. Por, sa I besojnë banorët e Qyshkut drejtësisë së Beogradit?
"Aspak! Beogradi me arrestime të vogla tenton të mbulojë para botës krimet e mëdha të bëra në Kosovë. Mirëpo, ne nuk besojmë aspak”, thotë Zyrafete Gashi.

Kërkohet ndërpreje e parktikës së pandëshkueshmërisë së krimit

Meqense luftërat në territorin e ish-RSFJ-së karakterizohen nga krime mizore dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut; duke vërejtur se gjykimet në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavi dhe ato në gjykatat tjera nuk përmbushin në masë të duhur nevojën e viktimave për drejtësi si dhe me kundërshtimin e fuqishëm ndaj keqpërdorimit të viktimave për qëllime politike, është marrë iniciativa për themelimin e Komisionit Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës(KOMRA)në hapësirat e ish Jugosallvisë, në përiudhën 1991-2001. Veton Mujaj është njeri ndër të 20 anëtarët e këshillit për themelimin e këtij komisioni ndërrajonal.


„Draft-mandati i këtij komisioni është përgatit si dokument, ndërsa në muajin mars dhe prill nga të gjitha vendet e ish Jugosllavisë do të mblidhen nënshkrime të cilat së bashku me këtë draftmandat diku në qershor të vitit 2011 do t´iu dorëzohen të gjitha parlamenteve. Dhe pastaj, mbetet detyrë e parlamenteve që shteti t´i përcaktojë njerëzit e vet që një komision I tillë të themelohet realisht“, thotë z.Muaj, sipas të cilit synimi kryesor i kësaj iniciative është kthimi i dinjitetit të familjeve të goditura si dhe qetësimi I shpirtërave të viktimave. 

Kthim dinjiteti dhe qetësim shpirtërash

„Kjo do të mundësojë gjetjen e kriminelëve të cilët do të kapen, do të burgosen dhe do të ofrojnë fakte se rreth vendndodhjes së njerëzve të pagjetur. Dhe, I gjithë ky proces do të ndihmojë shumë jo vetëm në pajtim por edhe në qetësimin e shpirtërave të familjeve të viktimave”.

Por, edhepse drejtësia ka efektin e vet, zemrat e atyre njerëzve s´do të qetësohen asnjëherë-mendon Zyrafetja, sepse: “Shumica prej të vrarëve kanë lënë fëmijë të cilët e kanë para masakrën dhe janë rritur me kujtimin e atij përjetimi. Prandaj, zor se do të zbeh kjo kujtimin e asaj cfarë kanë përjetuar”.

Dhe, shtytjet e vazhdueshme për pajtim janë të padrejta, kur pajtimi qoftë edhe në emër të një të ardhmeje në paqe është tejet i veshtirë-thotë Atdhe Berisha, sipas të cilit:“Megjithëse një kërkim falje prej tyre do të ishte gjest I vullnetit të mirë, ata që nuk e bënë as pas dhjetë vitesh nëse do ta bëjnë në të ardhmen, dihet se do ta bëjnë për të mbrojtur lëkurën e tyre. Dhe ky është problemi, sepse se vazhdimisht kërkohet amnesti për vrasësit pa menduar fare në viktimat dhe familjet e tyre”.

Vetëm dhjetë aktvendime për krime lufte në Kosovë?

Ndërkohë, themelimi i KOMRA-s është një mundësi për ngritjen e zërit të familjarëve të viktimave dhe sjelljen e ekzekutuesve para drejtësisë-thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, zyra në Prishtinë. „Duke pasur parasysh faktin se organizatat jonë në Kosove deri më tani ka evidentuar me emër dhe mbiemër rreth 14 mijë viktima, të vrarë dhe të zhdukur gjate vitit 98-99 në Kosovë dhe nga ana tjetër, se nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë, atëherë familjarët e shohin këtë si mundësi për të sjell drejtësinë në vend. Fokus i gjithë kësaj edhe janë viktimat dhe familjet e tyre”.

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ)me gjashtë republika dhe dy krahina autonome, filloi me shpërthimin e konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci me 1991. Ndërsa, Komisioni Rajonal për Përcaktimin e Fakteve të Viktimave të Luftërave të ish Jugosllavisë(KOMRA)synon ndriqimin e se vërtetës për viktimat si dhe ndërprerjen e praktikës së pandëshkueshmërisë së kryesve të krimit.