5 qershor 2007, Dojçe Vele, Juniku, është vendbanim i hershëm rrëzë Alpeve Shqiptare. Si pasojë luftes se fundit, u bë shpërngulja masive e të 9000 banorëve të Junikut për në Shqipëri. I pozicionuar ne perëndim të Kosovës, rrëzë kufirit me Shqipërinë, ku lëvizjet e qytetarëve dhe furnizimi me armë bëhej pikërisht nga kjo zonë, ai iu nënshtrua një shkatërrimi masiv dhe një minimi të specializuar nga forcat serbe.
“Deminimi është kusht elementar për kthim dhe për investime në të ardhmen”-thotë drejtori ekzekutiv i Pilot Njësisë Komunale të junikut,Ruzhdi Shehu.
Agjencioni Evropian për Rindërtim, ka ndarë një shumë prej 1 milion eurosh për kanalizimin e ujërave të zeza. Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së mesme me shumën prej 450 mijë eurosh, do të mundësohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, përdërisa për rrugën 7 kilometërshe e cila lidh Junikun me Bajram Currin e Shqipërisë, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, e Kosovës, ka ndarë 600 mijë euro. Madje edhe projekti i urbanizmit dhe ai i planifikimit hapësinor financohet nga Banka Botërore. Por, asnjë ndryshim për të zhvendosurit e të dy fshatrave, Jasiç dhe Gjocaj, të cilët vazhdojnë të jetojnë në të 120 shtëpitë e ndërtuara për kolonët serb, në fillim të viteve të ‘90-ta.
„Shpinë ku jetoj e konsideroj si shpi të huaj, përderisa nuk e kam dhënë pare, përderisa baba s’ma ka ble, përderisa gjyshi s’ma ka lanë!-thotë Muhamet Gjocaj, njëri ndër banorët e kësaj lagjeje.
Dikur, me shkollë, ambulancë e me të gjitha kushtet për jetesë, sot te 300 shtëpitë e banuara prej 65 familjeve me rreth 600 banorë, janë vecse gërmadha. Shtrirja e gjërë dhe minimi I dendur në këto zona, ndikoi në zvarritjen e kthimit të të zhvendosurve në vatrat e veta-thuhet në opinion.:
„Organizatat ndërtimore në Kosovë nuk kanë vepru edhe te ne sepse ka njerëz që nuk duan të kthehen në vendilidnjen e tyre. Njerëz të cilët mendojnë se pronat e huaja bëhen të tyre! Me propaganda të tilla kanë bërë zbrapsjen e shoqatave, duke marre në qafë krejt fshatin!“ –demanton Muhamet Gjocaj, deklarata te tilla.
Muhamet Gjocaj, banor I njërit prej të dy fshatrave të depopulluara në Grykën e Junikut, me të dalë pranvera e deri në vjeshte, bashkë me familjen i ngjitet fshatit të tij malor, ku siç thotë:” Punoj tokën pëllëmbë për pëllëmbë dhe jetoj në Gjocaj deri në vjeshtën e vonë”.
" E baj shpinë vet, po nuk kam pare! Nëntë anëtarë familje jetojmë në dy dhoma. Ma zi se n'luftë!"-thotë Bajram Jasiçi, i cili me dëshirë do t’i kthehej fshatit të tij.
Ndërkohë, nga fshatrat e rrënuara vjen një thirrje:„Duam të kthehemi në fshatrat e lindjes. Le t’na ndihmohet si të gjithëve, se jemi të djegur e të shkatërruar nga lufta!“
Përkrah Elez Hanit dhe Mamushës, Juniku është pilot-njësia e tretë komunale, në Kosovë.