21 qershor 2007, Dojçe Vele, Tetë vjet më parë, qindra-mijëra kosovarë të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, filluan kthimin në vatrat e veta. Sipas shënimeve të Zyrës së Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, në vitin 1999, shifra e të dëbuarve afrohej në një milion. UNHCR ndihmoi në kthimin e shqiptarëve në Kosovë, përderisa në të njëjtën kohë, nga kosova filloi zhvendosja e pakicave.
“Situata me të zhvendosurit kudo në botë, është e rëndë duke pasur parasyh se kemi të bejme me njerës të larguar nga shtëpitë e veta -thotë Shpend Halili, zyrtar për Informim në Zyren e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjate, në Prishtinë, në Ditën Botërore të Refugjatëve. Ndërsa, sa iu përket refugjatëve nga Kosova, shumë prej tyre ende qëndrojnë në qëndra të ndryshme kolektive në Serbi, por pjesa më e madhe janë të vendosur në shtëpi private”.
“ Mos vet ku kemi banu...Në njëfarë bodrumi. Mos Zo’ ma keq! Kurrkujt mos ia pruftë Zoti me banu kua kam banu unë...As lopa nuk kish mujtë me mbet gjallë! Unë kam qënë i shëndoshë, por qe shtatë vjet jam sëmu. Tash s’po muj as me ec. Vec prej se kam ardhë në shpi teme jam shliru pak!- rrëfen për shtatë vjetët e jetës si refugjat në Serbi, 75 vjeçari Bozhidar Fatiç, i kthyer në Pejë në vitin 2006.
Sipas Zyrtarit për informim, në zyrën e UNHCR-së në Prishtinë, Shpend Halilit, që nga viti 2000 deri me tash, në Kosovë janë kthyer rreth 16 mijë qytetarë të të gjitha bashkësive etnike, pjesa më e madhe e të cilëve janë serbë. Përveç UNHCR-it me partnerët implementues, ndër të cilët edhe UNMIK-u dhe Institucionet e qeverisë së Kosovës, për kthimin e tyre angazhohen edhe shoqata të ndryshme për të zhvendosur. Njëra ndër to është edhe shoqata "Sveti Spas" me seli në Beograd.
“Ne jemi të obliguar të pyesim, të dëgjojmë e të marrim mendimet e të zhvendosurve, por të zhvendosurit nuk mund ta kuptojnë se për tetë vjet që të gjithë jemi të pajtimit për qështjen e kthimit. Megjithaë, kthim nuk ka!”-thotë presidenti i kësaj shoqate, Zllatko Mavric, për Deutsche Welle-n.
Përderisa institucionet e Kosovës përballen me sfidat e kthimit të të zhvendosurve kosovarë nga vendet e tjera, Shpend Halili nga UNHCR flet për refugjatë nga vende të tjera të territorit të ish-Jugosllavisë, të cilët jetojnë në Kosovë, por edhe për të zhvendosur përbrënda saj, të cilët i kanë pronat e uzurpuara nga popullsia shumicë në vende të caktuara.
“Aktualisht, në Kosovë jetojnë rreth 229 refugjatë nga Bosnja e Herzegovina dhe nga Kroacia, të cilët kanë ardhë në Kosovë, që në vitin 1993, si dhe rreth 399 refugjatë nga ish republika jugosllave e Maqedonisë, ndërsa përbrënda Kosovës aktualisht janë afro 21 mijë persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Këta persona ju përkasin të gjitha grupeve etnike. Në emsin e tyre ka edhe shqiptarë, të cilët janë zhvendosur nga pjesët ku janë popullsi-pakicë. Në këtë rast, UNHCR ka ndihmuar tri fshatra të Veriut të Mitrovicës”.
Një ndër qështjet me të cilat merret UNHCR, është krijimi i një ligji për qështjen e azilkërkuesve, në Kosovë. Sipas mandatit të UNHCR-së, numri i azikekuesve në Kosovë, të cilët vinë, kryesisht, nga vende të Botës së Tretë, arrin në 26-të, 11-të prej të cilëve janë lajmëruar vetëm brënda vitit 2007. Ne botë, janë rreth 10 milionë refugjatë dhe afro 13 milionë të zhvendosur përbrenda vendit, në të cilët Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, ka qasje për ndihmë të drejtpërdrejtë. Ndërsa, sipas zyrës së këtij Komisariati, numri i të zhvendosurtve kalon shifrën prej 32 milionë.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele