Arkivi

Tarçin optimist për sigurinë në Kosovë

26 qershor 2007, Dojçe Vele, Komandanti i Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në jug të Kosoves, gjeneralbrigadieri turk, Uður Tarçin, në konferencën e parë për shtyp premton ambient të qetë dhe liri të lëvizjes për të gjithë.

Në zonën e përgjegjësisë së Forcës Shumëkombëshe-Jug, e cila shtrihet në komunën e Rahovecit, Malishevës, Suharekës, Prizrenit dhe të Dragashit veprojnë shtatë kontigjente. Numrin më të madh e përbëjnë trupat gjermane. Forca paqeruajtëse e NATO-s në jug të Kosovës, është udhëhequr gjithmonë nga gjeneralë gjermanë. Muaji i fundit shënon herën e parë qëkur Turqia, e cila në kuadër të KFOR-it ka 800 ushtarë, po udhëheq operacione në ndonjë pjesë të territorit të Kosovës.
Cila është gjendja e sigurisë në këtë zonë, në një kohë kur shumica kosovare është e pasigurtë nëse do të ketë apo nuk do të ketë pavarësi? Lidhur me këtë Tarçin thekson angazhimin e paqeruajtësve: "Ne kujdesemi që edhe në vazhdimësi të sigurojmë një ambient të qetë për të gjithë qytetarët brenda zonës sonë të përgjegjësisë. Këtë e kam thënë në marrjen e komandës, para një muaji dhe të njëjtën e them edhe tani. Kemi trupa të mjaftueshme për të përmbushur obligimin e marrë përsipër, ndër të cilët është edhe kontigjenti gjerman“-përgjigjet komandanti i Forcës Shumëkombëshe në jug të Kosoves, gjeneralbrigadieri, Tarçin, në konferencën e tij të parë për shtyp. Tarçin para një muaji mori komandën nga gjeneralbrigadieri gjerman Erich Pfeiffer.
Komandanti Tarçin nuk përjashtoi tentimet për hyrje-dalje ilegale dhe për kontrabandë në kufi me Shqipërinë dhe Maqedoninë, mirëpo në ruajtjen e tyre përmendi bashkëpunimin e ngushtë të trupave të KFOR-it me UNMIK-un dhe Shërbimin Policor të Kosovës. Lidhur me  armëmbajtjen pa leje dhe inicidenteve të kohëpaskohshme, ai është i mendimit se aksionet për mbledhjen e armëve pa leje, kryhen në vazhdimësi nga SHPK-ja dhe trupat e KFOR-it. Mirëpo, komandanti Tarçin nuk vërtetoi e as nuk demantoi faktin se në Dushanovë të Prizrenit, këto ditë janë vërejtur katër burra të uniformuar dhe të armatasur, edhe pse burime të besueshme thonë se përveç Shërbimit Policor të Kosovës, lihdur me këtë kanë qënë të angazhuara edhe trupat e KFOR-it me helikopterë.
“Ne jemi të informuar për situatën dhe njëra ndër detyrat tona është që të ndërmarrim të gjitha masat për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe lëvizjen e lirë." KFOR-i është këtu për t’iu përgjigjur çdo të papriture dhe është i gatshëm të intervenojë në çdo moment”-u përgjigj komandanti Tarçin, njësoj si të gjithë pararendësit e deritanishëm në krye të kësaj force.
Nën ombrellën e Forcës Shumëkombëshe në Jug të Kosovës, veprojnë 4000 ushtarë paqeruajtës nga shtatë vende: Azerbaixhani, Bullgaria Gjeorgjia, Austria, Rumania, Zvicra dhe Turqia. Kontigjenti gjerman i shtetit udheheqes ne Forcen Shumekombeshe-jug, ka numrin me te madh te trupave, 2200 ushtarë.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele