Arkivi

Investime të reja të Bankës Gjermane për Zhvillim në Kosovë

23 shtator 2007, Dojçe Vele, Dy milion e treçind mijë euro është vlera e donacionit, që Banka Gjermane për Zhvillim ia ka dhuruar Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Hidrodrini”, në Pejë. Ky donacion do t´i mundësojë kësaj kompanie shërbime më të mira për konsumatorët e saj në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik. Në këtë program nuk është përfshirë edhe komuna e Deçanit, për shkak të tërheqjes nga kjo shoqëri aksionare në qershor të këtij viti.

"Me duhet me e rezervu ujin për enë, për buke, me i la fëmijët, si dikur që jemi la me tasa me pacërrka, tuj mbush shishet me ujë, sik gjatë luftës, në Shqipëri. Me atë ujë që duhet ta pimë, ne po lahemi se gypat janë të prishun. Kur ka rrymë, edhe me pi e rezervojmë prej krojeve. E kur s'ka rrymë, duhet me shku nëpër mahallë e katund, me nxjerr nëpër bunare"!-flet e mërzitur Ajmone Shabanhaxhaj, duke zbrazur shiesh me ujë të rezervuar.
Dhe kjo grua është vetëm njëra ndër banoret e fshatrave të Rajonit të Pejës, e cila përballet me vështirësitë për ujë të pijes. Në tejkalimin e vështirësive të tilla, ndihmojnë investimet si ai i Bankës Gjermane për Zhvillim, dhënë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit „Hidrodrini”, në Pejë, me ç´rast një shumë prej 2.3 milionë eurosh do të derdhet për përmirësimin e rrjetit rajonal të ujit në sistemin e tanishëm. Në kuadër të këtij programi, donatorë gjermanë i kanë dhuruar “Hidrodrin”-it edhe pajisje më moderne për detektimin e shkarjeve të ujit në gypat nën tokë, I cili është njëri nga problemet më të mëdha të kompanisë.
Drejtori I përgjithshëm I Shoqërisë Aksionare të Ujësjellësit „Hidrodrini“, Lekë Prenaj:
“Dy milionë e 300 mijë euro, për kompanitë tona të varfëra janë një ndihmë e madhe me të cilat do të përmirësojmë në një masë të dukshme infrastrukturën ujore e cila është goxha e vjetruar. Falë këtyre donacioneve ajo do të përmirësohet dhe shërbimet do të jenë shumë më cilësore“.
 Donacioni më i fundit i qeverisë gjermane do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit, në zvogëlimin e humbjeve të uijit, dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira konsumatorëve në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik. Por, kjo nuk vlen edhe për komunën e Deçanit, njëra ndër të pesë komunat e Rajonit të Pejës.
“Banka është prononcuar se, nëse Ujësjellësi i Deçanit nuk është përbrënda kompanisë rajonale, s´do të mund të shfrytëzojë investimet e parapara në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese”-sqaron drejtori Prenaj.
Kjo barrë bie mbi supet e banorëve të kësaj komune, shumica prej të cilëve përballen me probleme të ujit në vazhdimësi. Shkëlzen Shabanhaxhaj, nga kryesia e fshatit Lloqan të komunës e Deçanit:
“Ky ujesjellës përfshin pesë fshatra dhe është ndërtuar në vitin ´64, me gypa të azbestit të cilet nuk përdoren më për pije. Problem tjetër është se të gjithë nxënësit e këtij rajoni e pinë këtë ujë i cili është shumë i ndytë”.
Me probleme të tilla përballen edhe fshatrat e Lugut të Trestenikut, që përbëjnë numrin më të madh të banorëve në Komune të Pejës, pastaj të Lugut të Leshanit dhe të fshatit Raushiq.
“Prioritete e investimeve i kemi caktu sipas nevojes  ne terren. Dmth.ne kemi inicu situaten dhe ku ka nevoje te investohet, aty do te investohet”-thotë drejtori rajonal, Lekë Prenaj.
Sipas drejtorit Prenaj, në mes të tri kompanive të Rrafshit të Dukagjinit, Ujësjellësi Rajonal “Hidrodrini", është parakualifikuar edhe për një doancion 1 milionesh, për vitin 2008, ndërkohë që në vitin e kalaur kjo shoqeri Aksionare nga Banka Gjermane për Zhvillim është mbështetur edhe me 400 mijë euro.
Për përmirësim të rrjeteve të ujësjellësve, qeveria gjermane deri më tash ka investuar afro 33 milion euro, në 17 komuna të Kosovës.
Ajete Beqiraj,DW