Arkivi

Mungesë e artikujve bazë-Tokat djerrë

19 shtator 2007, Dojçe Vele & Radio Kosova, Që nga fillimi I gushtit, popullata e Kosovës përballet me rritje çmimesh të artikujve ushqimorë. Shtresat më të goditura nga vala më e re e shtrejtimit janë të varfërit dhe pensionistët, të cilet përballen me vështirësi të ekzistencës. Ndërkohë, mijëra hektarë tokë vazhdojnë të mbesin djerrë, me arsyetimin se “nga punimi I tokës nuk ka leverdi”.

Me 3 gusht të këtij viti, qeveria e Serbisë mori vendim për ndalimin e eksportit të produkteve bujqësore: grurit, misrit, sojës dhe lulediellit, në Kosovë dhe në disa vende të rajonit, për afat 90 ditësh. Prej datës 7 gusht, në Kosovë u bë edhe ngritja e çmimit të bukës, për arsye se 90 për qind të miellit në Kosovë importohej nga Serbia. Zyrtarët e Kosovës paten thënë se Serbia nuk ishte kanali I vetëm I furnizimit me miell, ndonëse hapja e rrugëve të reja të importit do të kushtonte më shumë. Pas një muaji e gjysmë, shitja e bukës vazhdon me valën e re të ngritjes se çmimit, prej 25, 30 e në fund, edhe në 40 cent. Më të goditurit janë shtresat e varfëra dhe pensionistët.
“O shtrejtu po, qare pa e ble s’ po kom! Kush ka-e blen, e kush s´ka-kruhet. Mo Zo ma keq! Buke me hangër po, a me pa gjo t’ mbarë, jo pasha Zoten!”-thotë Rrustemi, nga Deçani.
“Jetohet disi. Pa punë, shtatë anëtarë familjeje. çmimi I bukës është rritur, pastaj tjerat…Shtrejtime, shtrejtime, shtrejtime, tej mase…”-ankohet Ata Haxhia, Gorane nga Dragashi I Rajonit të Prizrenit.
“Kurrqysh hiç. çdo ditë më së paku një buke, e s ´është as një kile. E ku është gjella? Ku është dreka? Ku është darka?”.
“Ai si e ka rrogën e mirë s´është shtrejt. A për atë që I ka 40 euro e s’ ka kah ia ngjet kurrkah…Është katastrofë mos me kujdes kurkush për pensionistë të Kosovës. Të mirë e të këqij! Duart e tyre e kanë ndërtu Kosovën. Ata, çka kanë ditë, çka kanë mujt, kanë ba. Në punë 30-40 vjet e me I marr 40 euro, kjo është katastrofë!”
Si rrjedhojë, Shoqata Rajonale e Pensionistëve e cila numëron rreth 10.000 anëtarë, kohëve të fundit mori vendim për bojkotimin e zgjedhjeve të sivjeme.
“Me 40 euro as bukën nuk mundët ta sigurojë as bukën e lëre më diçka tjetër ta hash me bukë. Deri me tash, në çdo hap kemi has njerëz tuj kërku copa të bukës nëpër kontejnera. E tash, ky numër do të rritet edhe më shumë, sepse njeriu duhet të ekzistojë!”-thotë I revoltuar, kryetari I kësaj shoqate, Ismet Sheremeti.
Me mungeseën e funizimit me miell perballen drejperdrejt furrtaret, te cilet thone se nese qeveria nuk gjen zgjidhje do te perballen edhe me mungese te bukes. Qamil Qoqaj eshte furrtar ne furren 200 vjecare, “Qakorri”, ne Peje.
“Ashtu…Disi ec puna…Cmimi është rrit në 40 cent se është shtrejtu mielli. Shitja ka ra…”
Ilir Gaska, është pronar I një vetëshërbimi, në Pejë.
“Thesi I miellit 25 kg, përpara ka qënë 6-të euro apo në 6,50. Ndërsa, tash shkon deri në 10 euro. Kurse, mielli 1 kilogramësh që ka qenë 35 cent, tashmë është ngritur 50 deri në 60…Edhe prodhimet vendore edhe prodhimet nga Serbia, Italia etj.janë shtrejtu. Dhe, jo vetëm mielli por qumështi, vaji, sheqeri...”
Dhe, përderisa popullata e Kosovës përballet me mungesë të artikujve bazë, me mijëra hektarë tokë shndërrohen në djerrina, ngulfaten nga mbetjet e shtëpive të rrënuara gjatë luftës apo nga male mbeturinash që rriten përditë, me arsyetimin më të shpeshtë, “se nuk ka leverdi”. E, në një të kaluar jo të largët, familjet e gjëra kosovare jetonin vetëm nga prodhimet e kësaj toke, ndër më të plleshmet në rajon.
 “Në njëfare vakti, vetëm nga toka jonë I merrshim 5000 kile pasul. Unë ju kam grah kuajve e kijeve kur I plehëronim  se kishim dhenë e lopë. Atëherë, veç me kmesë me I këput kollomoqat. Mbillnim kollomoq, grurë e tetana. Po more per Zotin! çka të mbjellësh korr. E tash shko, ke me gjet veç ferra e murriza“-thotë Rrustemi nga Strellci.
 “E pveta një fshatar a ka punue. Më tha:Jo!”Kur e pyeta:PSe?, ma ktheu:“Kush mundet me punu-nuk don e kush don, nuk mundet! Kështu dmth., i kemi dhanë rast Serbisë me na shërbye me gjana ushqimore tuj mujt na me I ba në vendin tonë e në tokën tonë”.
Sipas Zyrtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës, importi në  Kosovë është 800 milionë, përderisa eksporti është vetëm 70 milionë euro.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele