Arkivi

Moler:„Ndarja e Mitrovicës dhe strukturat paralele-të papranueshme"

Stig Möller
Ministri i jashtëm danez
1 korrik 2008, Dojçe Velle. Ministri i jashtëm danez, Piter Stig Moler po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Mjafton vetëm implementimi i Planit te Ahtisarit, për të garantuar të drejtat e të gjitha minoriteteve", deklaroi ai sot në Prishtinë.

Ministri i jashtëm i Danimarkës, Piter Stig Moler, fillimisht është takuar me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ndërsa më pas me udhëheqësit kosovarë.

„Ndarja e Mitrovicës dhe strukturat paralele janë të papranueshme dhe implementimi i Planit te Ahtisarit është i mjaftueshëm për të garantuar drejtat e minoriteteve"- tha ministri danez, Stig Moler, duke ftuar vendet e rajonit, poashtu Kosovën dhe Serbinë që të lënë anash të kaluarën konfliktuoze dhe të ecin bashkarisht drejt integrimeve evropiane.

Presidenti Sejdiu: "Tërësia territoriale e Kosovës e garantuar"

„Kosova nuk do të pranojë asnjë qasje, e cila mund të ketë ambicie për të kthyer proceset prapa. Ne dëshirojmë ta përmbyllim në mënyrën më të mirë që është e mundur storjen e investimit ndërkombëtar në Kosovë, pra flas për UNMIK-un "-tha presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ritheksuar se „tërësia e territoriale e Kosovës është e garantuar, se çdo lloj ndarjeje, qoftë territoriale apo etnike, është e papranueshme dhe se për Kosovën vendos vetëm Prishtina".

Kryeministri Thaçi ka porositur Beogradin poashtu, që të vazhdojë përpjekjet për integrimin e vendit në strukturat evropiane dhe mos të merret me qasje destruktive, sepse sipas tij, krijesat artificiale si „Kuvendi i serbve" në Kosove janë të pasuksesshme.

Thaçi: „Kosova do të funksionojë si republikë unike, me mbështetje të plotë ndërkombëtare, me përgjegjësi të lartë integruese në kuptimin e ndërtimit të territorit të paprekshëm dhe me një shoqëri shumëetnike".

Danimarka mbështet Kosovën

Ministri i jashtëm i Danimarkës, Piter Stig Moler, përmendi mbështetjen e shetit të tij ndaj Misionit Evropian në Kosovë dhe ndihmën e vazhdueshme të Danimarkës, e cila do të artikulohet edhe në Konferencën e Donatorëve për Kosovën, për të cilën Danimarka ka ndarë 15 milionë euro.