17 tetor 2008, Dojce Vele, Sistemi financiar i Kosovës nuk është prekur nga kriza globale, duke pasur parasysh se shumica a kapitalit është investuar në Kosovë-pohojnë përfaqësuesit e bankave të atjeshme. Ndersa, sa i përket besueshmerisë, klientet janë të ndarë në dy grupe.
Ilirijana Tahiraj, nga Zyra për Marrëdhënje me Publikun në Reifeisen Bank, sipas së cilës, depozitat e kesaj banke deri në fund të qershorit 2008 kanë arritur në 450 milionë euro, pohon se nuk janë të prekur nga kriza globale në sistemin bankar. „Kriza globale nuk ka pasur asnjë ndikim direkt në bankën tonë në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe nga bankat e tjera që veprojnë këtu si dhe nga Banka Qendrore. Kështu që, çdo gjë është nën kontroll“.
Linda Sada, nga Gjakova, kliente e kësaj banke, thotë se „nuk i frigohet humbjes së parave të deponuara, pasi që bankat në Kosovë funskionojnë ndryshe. Ato nuk japin kredi nëse nuk ke mbulesë. Ti mund të shfrytëzosh vetëm paratë e tua, sepse ata nuk të japin para duke u futur në minus. Kjo krizë vlen për bankat që kanë dhënë kredi me hipoteka dhe ndërkohë nuk besoj se ajo krizë do të ndikojë në Kosovë. Ndoshta më vonë…”.
Krahas faktit se Banka për Biznes e Kosovës, nga institucioni prestigjioz "Finance Central Europe" është vlerësuar si banka më e mirë në rajon në kategorinë e kthimit të kapitalit, Shqipe Bejtullahu, kliente e BpK-së, është e shqetësuar për krizën globale, sepse thotë ajo: „Cka vjen n´kojshi-prite n´shpi! Unë në fakt nuk kam mjete më deponu në bankë…Mirëpo, edhe po të kisha, ekziston frika sepse në shoqërinë tonë asgjë nuk është e sigurt“.
Por, Armend Ibrahimi, drejtor Bankës për Biznes, dega në Prizren, i siguron klientët e vet:
„Banka për Biznes është institucion financiar i cili nuk është i lidhur në asnjë formë me bankat e vendeve evropiane dhe kapitali dërmues i kësaj banke, është i investuar në tregun kosovar. Kështu që, nuk ka vend për shqetësim“.
Megjithëse rreth 92 per qind e aseteve të bankave që vepronë në Kosovë janë në pronësi ndërkombtare, sipas përfaqësuesve të Bankës së Kosovës, lëvizjet e caktuara në bankat amë deri më tani nuk kanë pasur ndikim të drejtperdrejt në sistemin bankar të Kosovës.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele