Arkivi

Tradita farkëtare te romët e Kosovës

8 prill 2011, Dojce Vele, Ndër zejet të cilat ushtrohen nga komuniteti rom në Kosovë, është edhe farkëtaria. Kjo zeje tradicionale e cila edhe sot ka mbet burim ekzistence për shumë familje, si e tillë po bartet edhe në brezat e rinj. 

Një rrugë gjysmëharkore përtej stacionit të trenit në Fushë Kosovë con në “Lagjen 29”, të banuar kryesisht nga komuniteti rom. Diku kah mesi i saj gjendet një punëtori e vogël farkëtarie, së cilës pllakata me mbishkrimin dygjuhësh nuk i është e domosdoshme, kur pothuaj secili e di ku banon “Ragip Farkëtari”. Dhe atë rastisim ta gjejmë në ditën e parë të punës, e cila fillon me të dalë syri i pranverës.

“E farkova këtë sëpatë të vogël. Kjo shërben për qymyr, për dru e për gozhda. Pesë euro e punoj këtë, me ia saldu qykën, me ja nxjerr do konstrukcione për gozhda. Edhe popullit I ndihmoj. Ka dikush që vjen e që s´ka pare e dal e ja punoj”, rrëfen Ragipi teksa farkon sëpatën e skuqur në zjarrin e ndezur me vrull.

“Ragip Farkëtari”

Samiri e mesoi zanatin nga i ati
Ragip Selim Berisha, 51 vjec, vie nga fshati Bardh i Madh i komunës së Lipjanit, pas përfundimit të shkollës së mesme si teknik i maqinerisë-dega e energjetikes, për 20 vjet punoi në elektranën Kosova A. Ndërsa, mbetur pa punë pas luftës, ai mbijetoi me zanatin e të parëve të tij.

„Po, jetohet me këtë zanat. Kur është sezona e pranverës, njerëzit prej tetana katundeve vinë ktu se i punoj tetana punët e farkëtarisë, prej sakicave, pjesëve të traktorit, koshave të basketbollit, dyerve, rrethojave cka t´më bjen në dorë. Po edhe i ndihmoj popullit, ka dikush që s´ka e ia punoj edhe pa pare. Kur ka punë i fitoj 30-40 euro n´ditë. Kur s´ka atëherë është vështirë”.

Zejen e vjetër tek brezat e rinj

Selvetja tash 10 vjet punon me te atin si farketare 
Një grant i vogël nga komuna para dy vjetësh, ishte stimulimi i vetëm për Ragipin që të zhvillonte biznesin e farkëtarisë. Ndërsa, pranvera është gjithmonë e mirëseardhur, sepse atëherë niset edhe puna me të cilën siguron rriskun për bashkëshorten dhe të shtatë fëmijët e tij.

Ndërsa, me plakjen e tij nuk ka me dro për shuarjen e zejes se farkëtarisë, të cilën të parët e tij ja percollën me dashuri, se me të njëjtën ndjenjë zejen e ka perqafuar edhe i biri i tij.

“Unë zanatin e kam msu prej babës. I vogël jom konë kur më merrke mua baba tuj me msu kadalë. Du me e kry shkollën një hërë, por zanati i farkëtarit m´pelqen shumë. Edhe, dikush me m´thanë: Ndërroje zanatin!”, kurrë nuk e ndrroj, se është zanat I mirë, është zanat i babës dhe atë kam me ja përcjell fëmijës tem”.

Edhe një farketare në familje

Tashmë, farkëtari po orvatet të përfundojë sëpaten e filluar; punë e parë e vitit të sivjeme, e cila do të vazhdojë deri në vjeshtën e vonë. Por, fëmija që e thërret për ndihmë nuk është djali, por është e bija më e madhe, e cila tash dhjetë vjet është ndihmësja e tij në punëtori.

„Po, është e vërtet. Unë tash dhjetë vjet punoj me babën, jam nihmëse e tij në farkëtari. Saldoj, prej, punoj të gjitha dhe blej gjithcka që është e nevojshme për punetorinë. Edhe i ndihmoj edhe i bëj konkurencë, por paret ia lë të gjitha sepse ai është zot i shpisë”.

Zeja e farketarise brez pas brezi
Ndër të dhjetëra fiset e romëve për të cilët flet historia janë edhe Romët Farkëtarë. Punëtoria e farkëtarisë e cila për familjen e Ragipit është burim i vetëm ekzistence në të njëjtën kohë dëshmon origjinën e tyre nga ky fis. Përderisa, në porosinë e tij reflekton dashuria ndaj trashëgimisë së të parëve kujtimin e të cilëve e ruan në jetë nëpërmjet zejes familjare të farkëtarisë. “Rininë e kisha porosit me u marr me zeje t´mocme që na i kanë lanë baballarët, traditat e tyre mos me i harru, ta ruajnë trashegiminë e babës, babgjyshit, katragjyshit. Trashëgiminë me e qit n´dollap e mos me e harru”.