Arkivi

IOM ndihmon Kosovën në parandalimin e trafikimit

4 mars 2009, Dojçe Velle. Sipas një raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit "Kosova është vend burimor, tranzitor dhe i destinacionit për trafikimin e grave dhe të fëmijëve përbrenda dhe jashtë kufijve të Kosovës me qëllim tregtie dhe abuzimi seksual. Organizata Ndërkombtare për Migrim (IOM) po ndihmon në tërheqjen dhe rehabilitimin e këtyre viktimave nga Kosova dhe jashtë saj.



Gjatë vitit 2008, Policia e Kosovës ka mbyllur 74 lokale te dyshuara si dhe janë identifikuar dhe tërhequr 28 viktima të trafikimit, me të cilat abuzohej përbrënda Kosovës. Ndërkohë që, tërheqja e viktimave nga Kosova në shtetet tjera bëhet ilegalisht - pohojnë organet që merren me parandalimin e kësaj dukurie.

Organizata Ndërkombtare për Migrim, që nga viti 2000 është e angazhuar në të gjitha aktivitetet e ndërmarra në sferën e luftës kundër trafikimit. Sipas Bekim Ajdinit, zyrtar për informim i kësaj organizate, "IOM-i ka arritur të ndihmojë mbi 500 viktima të trafikimit, rreth 60 prej të cilave kosovare, ndërsa 440 viktima të tjera, nga shtetet e Evropës Juglindore.

IOM - ndihmë ekonomike dhe sociale për viktimat e trafikimit

Ndërsa, Organizata Joqeveritare "Kalabria", në Prishtinë, është njëra ndër partneret e IOM-it, e cila merret me riintegrimin e viktimave të trafikimit si dhe me parandalimin e trafikimit të viktimave potenciale.

"Me mbështetjen e IOM-it kemi Programin për "Ndihmë Ekonomike dhe Sociale për Viktimat Potenciale të Trafikimit", në rajonin e Mitrovicës, në Gjilan dhe në Prishtinë. Ne i kemi stërvitur këto gra e vajza, që të aftësohen për punë dhe ekzistencë, që mos të bien viktimë e trafikantëve, si dhe ato dy tri raste trafikimi që i kemi,të mos i kthehen asaj rruge sërish", thotë Sevdije Bunjaku, drejtoreshë e kësaj OJQ-je.

 Labinot Berisha, koordinator i Programit për Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore në qeverinë e Kosovës, vjen me përpjekjet e qeverisë kosovare për parandalimin e trafikimit: "Kosova, me Kodin e Përkohshëm Penal, parasheh luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe penalizmin e personave që merren me trafikim. Poashtu kemi Grupin Ndërministror, i cili harton politikat dhe programet e fushatave për parandalimin e trafikimit. Në korrik të viti 2008, Kosova ka aprovuar planin e veprimit 2008-2001, i cili përcillet me një strategji për luftimin e trafikimit, që koordinohet nga zv/ministri i Punëve të Brendëshme, Fatmir Xhelili, koodinator shtetëror për çështjen e trafikimit. Numri i viktimave nga 32 sa ishte në vitin 2007, në 2008-n ishte 27, prej tyre 17 kosovare, shifë shqetësuese kjo, për faktin se numri i viktimave kosovare është në rritje, si pasojë e gjendjes ekonomike dhe sociale".

Problemet ekonomike dhe sociale-arsyet kryesore të trafikimit

Gjendja e rëndë sociale, problemet në familje si dhe nevoja për një jetë më të mirë, janë arsyet më të shpeshta të rrugës drejt skllavërisë moderne. Burimet e DW-së thonë se, shpeshherë viktima të tilla tërhiqen me viza të regullta në shtetet e Evropes, me qëllim të abuzimit nga trafikantët, të cilët në të shumtën janë shokë apo të afërm të tyre. Dhe, e tëra fillon kështu, rrëfen z.Bunjaku: "Ne dëgjojmë shpeshherë femra tek thonë se do të dal jashtë shtetit me punue, se këtu nuk shoh perspektivë. Të tillat mashtrohen lehtë nga trafikantët me premtimet për t´iu gjetur vende pune, rregullim statusi në shtetet perëndimore e për arsye të tjera. Ndërkohë vetëm flitet, por unë nuk di ndonjë rast të tillë!"-thote drejtoresha Bunjaku.

Krahas të dhënave të shumta, Bekim Ajdini, nga Organizata Ndërkombtare për Migrim, nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë.

"Në bazë të intervistave të viktimave, të gjitha rastet e trafikimit në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, e kështu edhe në Gjermani, janë ilegale - shpjegon z.Ajdini. Zakonisht, këtyre nevojtarëve iu kanë premtuar një jetë më të mirë, apo zgjidhje për problemet e tyre. Dhe kështu, ata bien pre e mashtrimeve të trafikantëve të qënieve njerëzore", thotë Ajdini.

74 lokale të mbyllura brënda vitit me dyshimin për trafikim

Ndërsa koordinatori Berisha shton se:"Duhet të bëjmë një dallim mes trafikimit dhe kontrabandimit të njerëzve ku destinacioni i të dyja palëve dihet. Por, se trafikimi i njerëzve nga Kosova bëhet në rrugë të ligjshme apo me viza të rregullta, ne nuk posedojmë asnjë informacion. Sigurisht, nëse vërtet ekziston diçka e tillë, kur vizat e ndryshme kanë destiancion abuzimin e viktimave, ne do të ishim të interesuar që të bashkëpunojmë me shtetin gjerman. Tash për tash, ju kumtoj zyrtarisht dhe në emër të qeverisë së Kosovës, se nuk kemi dijeni për asnjë rast të ndonjë abuzimi të kësaj forme që ju përmendni."

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjate vitit që lamë pas, në gjithë Kosovën janë mbyllur 74 lokale të dyshuara si dhe janë identifikuar dhe tërhequr 28 viktima të trafikimit, 17 prej të cilave nga Kosova. Për dallim nga vitet e tjera, dominon numri I viktimave kosovare të cilat vinë nga zona të ndryshme urbane dhe rurale, abuzimi me të cilat bëhet përbrënda Kosovës.

Ajetë Sh. Beqiraj, DW