Arkivi

Kosovarët, dhjetë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s

 24 mars 2009, Dojce Vele, Dhjetëvjetori I ndërhyrjes së forcave të NATO-s mbi caqet serbe ishte fundi I terrorit ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe fillimi I ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe demokratike, e cila për më pak se një dekadë shpalli veten shtet dhe u pranua si i tillë nga 56 vende të botës.

Fushata ajrore e NATO-s mbi caqet e policisë dhe ushtrisë serbe, pasoi me kundërpërgjigjën e këtyre forcave me vrasje, masakrim dhe deportim të popullit joserb të Kosovës…
„Ndërhyrjen e forcave të NATO-s e kam përjetu si gëzimin më të madh në jetën time. Kur kanë shpërthy bombat në Qabratin e Gjakovës, na është hap dera e dhomës nga presioni. Kam dalë jashtë saora dhe kam pa qiellin, duke pritur me padurim bombardime të tjera sepse jeta në geto ishte bërë e rëndë, e padurueshme. Pastaj vrasje, masakrime, deportime…” -kujton Curr Mazrekaj, gazetar shumëvjeçar I cili deri në çastin e fundit kishte qëndruar në Kosovë.
Kosova, pas luftës së vitit ‚98-‚99, përvec humbjes në njerëz ka trashëgoi një infrastrukturë të rrënuar. Duke qënë se investimet kryesisht u orjentuan në ngritjen e kësaj infrastrukture, në përmirësimin e gjëndjes sociale është bërë shumë pak. Ymer ymeri është vetëm  njëri nga banorët e Kosovës i cili megjithëse dikur punonte në ndërmarrje publike, sot jeton në një varfëri të skajshme:
„Kam punu 25 vjet në hekurudhë, 6 muaj na kanë dhënë nga 100 mark, 6 muaj nga 50-të, e më vonë e këputën krejt. Tash jetoj tuj sharru dru nëpër qytet kush ka nevojë. Nuk kam as pension e as ndihmë tjetër…“.
Pr. dr. Husnija Bibulica, boshnjak, i cili ligjëron në Fakultetin e Biznesit, në Pejë, i dyti në gjuhën boshnjake krahas Fakultetit të Edukimit, ne Prizren, thote se:
„Përvec qështjes së sigurisë, e cila ishte një problem që u tejkalua shpejt, mund të thuhet se komuniteti boshnjak krahas gjëndjes së rëndë ekonomike gjithnjë e me pak mendojnë të migrojne. Ata duan të kapin fillin e jetës këtu, në Kosovë, të cilën e kanë pranuar si shtet të tyre“.
„Një pjesë e komunitetit egjiptas, dhjetë vjet pas është gjetur mjaft mirë. Mirëpo, një pjesë e cila ka trashëgu një infrastrukturë më të dobët edhe ekonomike edhe arsimore e ka vështirë të integrohet. Kriza ekonomike ka bërë të veten. Shkalla e papunësisë është mjaft e lartë. Prandaj, unë kisha me thanë se për dallim nga komunitetet e tjera, komunitetin egjiptian e preokupojnë probleme socio-ekonomike“-thotë për popullin e tij, Xhevdet Neziraj, deputet në Parlamentin e Kosovës.
Sipas Sllobodan Petrovic, serb, I cili punon si shef i nënzyrës për Komunitete në Gorazhdevc thotë se tashmë problemi për serbët në Kosovë është papunësia.
“Dhe, për të mbajtur serbët në Kosovë duhet t´I qasemi porblemit seriozisht. Ështe thelbësore të hapim vendpunime të reja dhe të zvogëlojmë ndihmën humanitare, që të mos krijojmë nga punëtori, parazit. Me kredi të ndryshme t´iu mundësojmë hapjen e bizneseve familjare në mënyrë që të zvogëlojmë numrin e të papunëve. Mendoj se me një klimë normale politike, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë”-thotë Petrovic.
Perderisa, Curr Mazrekajt, shqiptar I mjafton fakti se ai tashmë ka lirinë në shtetin e tij të ri.
„Jeta në Kosovë i ka problemet e veta. Por, mbi të gjitha unë tash kam lirinë dhe kjo është pasuria më e madhe për mua. Kjo do të duhej të mjaftonte për të gjithë shqiptarët e Kosovës, sepse lirinë dhe shtetin nuk i kishim kurrë. Por, tash kemi një betejë tjetër: atë të ndërtimit të shtetit të Kosovës“-thotë Mazrekaj.
Ndërhyrja 11-të javore e Aleancës Veriatlantike në Kosovë kujtohet si një ngjarje e cila i dha fund kobit shumëvjecar të shqiptarëve të Kosovës, solli mundësinë për jetë të barabartë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa vet Kosovës i hapi rrugë drejt gjirit të familjes evropiane.
Dhjetë vjet pas, Kosova është shtet i pavarur i njohur nga 56 shtete të botës.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele