8 mars 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Pozita e femrës në Kosovë, në të kaluarën, ishte e ulët, gati fyese dhe denigruese jo vetëm në shoqeri por edhe në familje. E konsideruar jo vetëm si krijesë e rendit të dytë, por si qenie e cila pothuajse nuk puqej askund me gjininë tjetër, ajo në vazhdimësi duhej t´i nënshtrohej fatit që i diktohej nga të tjerët.
Besa Gaxherri,deputete e Kuvendit te Kosoves |
Pozita e femrës në Kosovë, në të kaluarën, ishte e ulët, gati fyese dhe denigruese jo vetëm në shoqeri por edhe në familje. E konsideruar jo vetëm si krijesë e rendit të dytë, por si qenie e cila pothuajse nuk puqej askund me gjininë tjetër, ajo në vazhdimësi duhej t´i nënshtrohej fatit që i diktohej nga të tjerët. Nushe Zogaj, 63 vjeç, nga Prilepi, është vetëm njëra nga të mijëra gratë kosovare, të cilat këtij fati iu nënshtruan natyrshëm.
„Burrin ma zgjodhën të shpisë. I mirë boll o konë.Gjo mangut s´ka pas! ...Paj, nafaka duhet me t´pëlqye. E ka dhanë Zoti me u martue e me e ul kryet, mos me ia mos me ia marr ftyren babës, as nanës, as vllaut. Edhe fmijët, tetanë veç t´parit, i kam lind vetun. Si vallahi, eshtrat i ndisha tuj m´ba krr,krr,krrr…Por, e lusja Zotin:“Qysh e ke nis n´bark edhe ma qet n´tokë!“
Me kohë, gruaja në Kosovë bëhet me kërkuese për t´u arsimuar, për t´u ngritur, për të prosperuar dhe marrë vendin e merituar në familje dhe në shoqëri. Safete Gacaferi, nga Deçani, dikur një amvise e përkushtuar dhe nënë e mirë, sot është transformuar në tjetër njeri. Pas humbjes se bashkëshortit, krahas nevojës për të ekzistuar dhe me forcën dhe guximin për të qënë vetvetja, ajo sot menagjon njërën ndër shoqatat më të sukseshme të gruas në Kosovë dhe ndjek studimet, poashtu.
„Dikur isha një amvise e cila gjithë ditën kaloja me punë shtepie, ne kuzhinë dhe me fëmijët. Ndërsa sot, sot, dal në mëngjes prej shtëpie dhe kthehem në mbrëmje. Por, falë kësaj pune, unë i rris pesë fëmijët e mi, i shkolloj dhe poashtu, ndjek studimet së bashku më vajzën time në Adminsitrim Biznesi. Një ndryshim total në jetën time!”
Mirepo, krahas faktit se viteve të fundit është fuqizuar roli i femrës në shoqërinë kosovare, prezenca e tyre në institucione dhe në vendimmarrje është shumë e vogël-thotë Besa Gaxherri, deputete e Grupit Parlamentar të LDD-së, në Kuvendin e Kosovës.
“Në kohën kur kishte nevojë që ajo të jetë në logjistikë, që të jetë një nanë e mirë për fëmijët, edukatore e kreu misionin e saj. Ndërsa, sot shteti i Kosovës ka nevojë për gruan të jetë në ballë të institucioneve, sepse është shumë më e pergjegjshme dhe më e përkushtuar se vet gjinia e kundërt, e them këtë me shumë përgjegjësi”.
Me Ligjin për Barazinë Gjinore i miratuar nga Kuvendi I Kosovës me 19 shkurt 2004, “mbrohet, trajtohet dhe vendoset barazia ndërmjet gjinive si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve dhe për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore“.
„Mirëpo,në Kosovë fatkeqisht asnjë ligj nuk e ka fuqinë e implementimit ashtu siç kërkohet-thotë deputetja Gaxherri-E vetmja kuota e 30 perqindshit respektohet, por jo edhe Ligji për Barazinë Gjinore, nisur nga presidenca, në qeveri, në kryesi të kuvendit, tek shefat e Grupeve Parlamentare, kryetaret e komisioneve e teposhtë në institucione, do ta shohim se nuk respektohet….”
Sipas deputetes Gaxherri, Kosova edhe më tej vazhdon të ndeshet me pabarazi gjinore të cilën sipas saj duhet luftuar vet femra. Prandaj, në Festën Ndërkombtare të Gruas, ajo ka një mesazh:
“Realisht unë festën e 8 marsit nuk e kam fort në qejf. Unë pretendoj që gruaja të festoj ose gruaja të ndjehet e barabartë 365 ditë dhe mos ta kemi vetëm një ditë në vit. Nëqoftëse ne do të punojmë seriozisht, kjo festë do të jetë irelevante dhe nuk do ta ketë peshën që e ka tani“.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele & Radio Kosova