Ura e Ibrit nuk con shqiptaret e veriut tek pronat e veta |
Dojce Vele, Sipas Komesariati të Lartë të OKB-së për Refugjatë, prej vitit 2000 në Kosovë janë kthyer rreth 22,500 persona, ndërsa mijëra të tjerë ende jetojnë si të zhvnedosur brenda dhe jashtë vendit. Refugjatë në Kosovë ka edhe nga vendet e rajonit.
Esat Gashi, nga pjesa veriore e Mitrovicës tash 12 vjet jeton si i zhvendosur në jug të qytetit.
“Kom jetu n´pjesën veriore, në pronën time, pesë ari dhe shtëpinë dykatëshe. Që nga paslufta jetoj n´pjesën jugore, me vëllaun. Shtëpia m´u ka djeg gjatë luftës. Ka ba kërkesë një kojshi për mua e për vete me na i ndërtu shtëpitë, mirëpo nuk ka ndërtime në atë rrugë për shkak të sigurisë. Paj bandat serbe sulmojnë! Qe 11-të vjet vetëm një herë jom konë,se s´kam guxu me shku prej tyre”, rrëfen z.Gashi, i cili sa herë ec brigjeve të lumit Ibër i cili ndan qytetin me kufi, nga larg kundron shtëpinë e tij.
Esat Gashi, i zhvendosur nga veriu |
“Ja, atje...Matanë Ibrit eshte shtepia ime! Aty me dal shihet. Por, s´guxoj me shku se s´ka siguri...”.
"Ja,atje...Matane Ibrit eshte shtepia ime!"
Për shkak të dëbimit të dhunshëm gjatë luftës dhe uzurpimit të pronave nga serbët pas përfundimit të saj, rreth 10 mijë shqiptarë të Mitrovicës së veriut edhe 11-të vjet pas luftës jetojnë larg vatrave të veta. Ndërsa të tjerë, për shkak të gjëndjes së rënduar politike dhe ekonomike, ua kanë shitur pronat serbve në veri për shuma të majme parashë. Familja e Artan Qitakut është njëra ndër familjet shqiptare që kanë shitur pronën në veriun e Mitrovicës:
“Une vi prej veriut të Mitrovicës. Sa i përket sigurisë, nuk kemi qënë aq të rrezikuar meqënse kemi banu në lagjen “Tre Rrokaqiejt” e ka pas shumë familje shqiptare. Por për shkak të kushteve ekonomike, kemi ardhe deri te shitja e banesës. Tash jetojme me qira!”
Rreth 10 mijë shqiptarë të veriut jetojnë të zhvendosur përbrënda vendit
Tomic, minister per komunitete |
Gjatë kremtimit te Ditës botërore të refugjatëve të organizuar nga Zyra e UNHCR-së në Kosovë, ministri i ri për komunitete dhe kthim në qeverine e Kosovës, Radoica Tomiq, në fjalën e tij ndër të tjera tha se: “Nuk është kthim të ndërtosh shtëpi e të blesh orendi. Kthim është kur njeriu është i integruar në rrethin ku jeton, fëmija i të cilit shoqërohet me moshatarët dhe ai shoqerohet me fqinjtë e vet, pa menduar për sigurine e pasurise së vet”.
Por, shqiptarëve të veriut të Kosovës nuk iu është ofruar madje as kaq. Pjesëtarë të komuniteteve RAE vazhdojnë të jetojnë nëpër tenda si të zhvendosur, në një kohe kur qindra shtëpi të reja serbësh anekënd Kosovës rrinë të boshatisura. Lidhur me këtë dhe shqetësime të tjera, ministri Tomiq dhe stafi i tij nuk e panë të arsyeshme të japin intervistë për Dojce Vele-n, megjithëse kërkesa iu ishte bërë me kohë. Si rrjedhoje nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e qeverisë së Kosovës nuk arritëm të sigurojmë deklaratë zyrtare se sa është kthimi i qëndrueshëm 12 vjet pas luftës, s´kemi ndonje shifër për numrin e të zhvendosurve brënda dhe jashtë saj e as kemi të dhëna për projekte të reja kthimi të të zhvendosurve në vatrat e veta.
Hagenauer, shef i UNHCR-se,Kosove |
UNHCR thërret: “Zhvendosjet e tejzgjatura duhet të përfundojnë”
Mirëpo, Komesariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara-Zyra në Prishtinë, njofton se që nga viti 2000 deri në fund të muajit Maj 2011, në Kosovë janë kthyer rreth 22,500 persona. Vetem gjatë vitit 2010 janë kthyer 2,275 persona. Ndërsa, janë afro 18,000 persona të të gjitha komuniteteve të zhvendosur brenda në Kosovë. Jo Hagenauer, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë, nw Ditwn Ndwrkombtare tw Refugjatwve tha se:
“Jashtë Kosovës ende janë mijëra njerëz të cilët dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Brenda në Kosovë janë rreth 18,000 njerëz, të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Shumica prej tyre u larguan në vitin 1999. Këta njerëz janë të zhvendosur për 12 vjet rresht dhe kjo situatë e zgjatur duhet të përfundojë. Ne duhet shumw shpejt duhet te gjejmw një zgjidhje jetëgjatë, tw qëndrueshme dhe dinjitoze. Bashkëpunimi është element kyç i suksesit. Ne jemi të bashkuar në krijimin e kushteve të qëndrueshme për zgjidhje afatgjata. Të bashkuar, autoritetet në Kosovë dhe ato në rajon do të arrinë këtë qëllim” ”, theksoi z.Jo Hagenauer, shef i UNHCR-së, e cila është prezente në Kosovë që nga viti 1992 dhe krahas mandatit të saj global dhe tradicional i cili buron nga Konventa e vitit 1951 lidhur me Statusin e Refugjatëve, UNHCR në Kosovë, përmes Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara RKSKB 1244 (1999) ka mandat specifik në mbikqyrjen e kthimit të lirë dhe të sigurt të refugjatëve dhe personave të kthyer.
Vullnetare te UNHCR-se mbeshtesin refugjatet |
Refugjatë nga Kosova në rajon dhe nga rajoni në Kosovë
Sipas kësaj organizate, në Kosovë janë 139 refugjatë nga Kroacia, 27 nga Bosnja dhe Hercegovina, 34 nga IRJ e Maqedonisë dhe 26 refugjatë sipas mandatit të UNHCR. Ndërsa, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve te komunitevete të ndryshme nga Kosova ende qëndrojnë të zhvendosur në Serbi, Mali të Zi dhe në IRJ Maqedoni. E, porosia e UNHCR-së do të tingëllonte:
“Një familje e shtyrë për të ikur, është shumë... Një fëmijë i rritur në kamp, është shumë...Një refugjat pa shpresë, është tepër..”.