Arkivi

Zgjedhjet në vjeshtë - Kosova mund të funksionojë si shtet

19 korrik 2007, DojçeVelle. Anëtarët e ekipit të unitetit të mërkuren paraqitën qëndrimin e përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e lokale në vjeshtë 2007. Kjo dëshmon se Republika e Kosovës mund të funksionoj si shtet.

Pavarësisht çështjes së statusit, Kosova duhet të respektojë edhe axhendën e funksionimit të demokracisë, që nënkupton edhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i Grupit negociator të Kosovës për zgjedhjet, mbajtja e të cilave do duhej të bëhej në vjeshtë të këtij viti.

“Kemi një insistim të qartë që të jetë një kohë shumë e shkurtër në kuadër të së mundshmes. Këtu përputhemi të gjithë dhe këtu besoj se edhe SHBA-të janë të angazhuar“, tha presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Pesëshja negociatore e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e lokale e arsyetoi me nevojën që institucionet të mos mbeten pa legjitimitet. Ata thanë se mbajtja e zgjedhjeve është dëshmi se Kosova mund të funksionojë si shtet.

“Mendoj qe Kosova duhet të insistojë në afatizimin e procesit, sepse mesazhi ynë në Uashington është se Kosova është e gatshme për pavarësi. Në këtë proces të pavarësimit të saj ne dëshirojmë të jemi partner, të konsiderohemi si partner dhe të marrim pjese si 
partner” - tha kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur në vitin 2004. Ndërkohë që mandatet e deputetëve aktualë skadojnë në dhjetor të këtij viti, mandatet e këshilltarëve në asambletë komunale tashmë kanë skaduar.


Ajetë Beqiraj, DW