Arkivi

Sejdiu: Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme

30 korrik 2007, Dojçe Vele, Presidenti I Kosovës, njëherësh kryesues i Ekipit të Unitetit, Fatmir Sejdiu, sot, në raportimin e tij para deputetëve të paralmentit shprehu edhe një herë qëndrimin e palëkundur të palës kosovare, se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, se integriteti territorial I Kosovës mbetet I pacenueshëm dhe se Kosova do të jetë unike dhe e pandarë. Grupi Negociator për statusin e Kosovës, në seancën e parë të parlamentit pas paralajmërimit për negociata të reja me Beogradin, tha se kjo do të jete shtyrja e fundit në procesin e zgjidhjes së statusit.

„Ekipi i Unitetit konsideron se kjo do të jetë vonesa e fundit në këtë proces dhe se nuk mund të pranojmë shtyerje të tjera afatesh, të cilat si të tilla sjellin edhe rreziqe të veçanta. Ekipi i Uniteti zotohet se, deri në përfundim të procesit, duke llogaritur edhe shpalljen e pavaresisë, do ta bëjë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në me BE-në“-sjell presidenti Fatmir Sejdiu, qëndrimin e Ekipit të Unitetit.
Lideri i Ora-s dhe anëtar i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi tha se Kuvendi i Kosovës, si institucioini më i lartë ligjvënës, brënda këtij viti duhet të kryejë obligimin ndaj qytetarëve për shpalljen e pavarësisë. Ai paralajmëroi edhe për rreziqet që mund të veshtirësojnë funksionimin e shtetit të ardhshëm të Kosovës, ndër të cilat është edhe”forcimi i vijave ndarëse në veri të Kosovës, jo si një përpjekje e popullatës së atjeshme por si një shtytje politike që vjen nga disa qarqe ruse për krijimin e konflikteve të ngrira në Evropë“.
„Jam për një qasje më dinamike. Sepse, duke treguar gatishmëri për marrjen e përgjegjësive ne ndihmojmë aleatët tanë në zgjidhjen e procesit-tha kryeministri i Kosovës, Agim Qeku, duke sqaruar para deputetëve të Kuvendit  kërkesën e mëhershme për caktimin e një date, deri kur do duhej të pritej për shpalljen e pavarësisë. Por:
„Sigurisht, që ne nuk duhet të jemi aventurier dhe të veprojmë me mëndjelehtësi. Por, poashtu nuk duhet të jemi edhe pa guxim për të bërë atë që populli e pret prej nesh“-shton kryeministri Qeku, I cili njëherësh është edhe njëri prej pesë anëtarëve të Grupit Negociator për statusin e Kosovës.
Kryëtari I Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, përsëriti qëndrimine tij, se shpallja e pavarësisë do të bëhet në kohën e duhur dhe në bashkëpunim me miqtë ndërkombtar. Ndërsa, presidenti i Kosoves, Fatmir Sejdiu qëndron prapa deklaratave të mëhershme, se: “Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Se, integriteti territoiral i Kosovës është i pacenueshëm dhe se Kosova është unike dhe e pandarë“.
Bisedimet 120 ditëshe, Prishtinë-Beograd, pritet të fillojnë së shpejti. Në ekipin ndërkombtar për negociatat rreth statusit të Kosovës, Frank Wisner edhe më tej mbetet përfaqësues I SHBA-së. Federata ruse ende nuk ka bërë publik emrin e të dërguarit të saj. Përderisa, emërimin e diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger si i dërguar i Bashkimit Evropian për bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, Prishtina zyrtare e ka mirëpritur. Nga Ishinger, njëri ndër diplomatët më të shquar në Evropë, autoritetet kosovare kërkojnë vetëm paanshmëri gjatë procesit të bisedimeve si dhe mbështetje të së vërtetes, e cila sipas tyre është‚ realiteti i krijuar në Kosovë.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele