Arkivi

Zjarret rrezikojnë vendbanimet

25 korrik 2007, Dojçe Vele, Përhapja e zjarreve në territorin e Kosovës po rrezikon edhe vendbanimet. Në zonat kufitare ekziston rrezik i ndërsjellë. Këshilli Ndërministror për Menaxhimin e Krizës thotë se gjëndja është alarmante. Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, kërkoi nga shefi i UNMIK-ut Joachim Ryker, shpalljen e gjëndjes së jashtëzakonshme.

Zjarri vazhdon të përpijë mijëra hektarë të pyjeve qindravjeçare të Kosovës. Flakët e kuqe, të cilat rrisin edhe temperaturat e larta, tashmë po rrezikojnë edhe venbanimet. Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës, kërkon ndihmën e qytetarëve. Shtabi Emergjent i Krizës, bën të ditur se zjarret tashmë janë përhapur në disa komuna të Kosovës.
„Në do të kërkojmë nga qeveria që ajo të kërkojë kryeadminsitratori Ryker, shpalljen e gjdënjes së jashtazakonshme“-paralajmëroi mbrëmë minsitri i brendshëm, Blerim Kuçi, i cili tha se për të penguar eskalimin e situatës ka kotnaktuar edhe me NATO-n.
Sipas Këshillit Ndërministror për Menaxhim të Situatës, gjëndja në Kosovë është alarmante. Informatat e grumbulluara ndryshojnë nga ora në orë. Në disa komuna të Kosoves, zjarret janë shtrirë edhe nëpër fshatra. Në një prej tyre është bërë edhe evakuimi I popullatës, ndërkohë që raportohet edhe për zjarrfikës të lënduar.
„Gjëndja e krizës nënkupton angazhim në këtë drejtim. Por, ndërkohë ata që duhet faktorët kryesor për shuarjen e zjarreve janë Brigadat e Zjarrfikesve“-thotë  zëvendëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri. 
Edhe në Rajonin e Pejës situata po bëhet gjithnjë e më alarmante. Zjarret në bjeshkët e Rusolisë, Liqenak, Budisalc dhe në Kullë(pika kufitare  me Malin e Zi), po rrezikojnë rreth 70 për qind të këtij territori. Në shtabin Emergjent të Kuvendit Komunal të Pejës njoftohet se prej 15 korrikut e deri më tash, nga zjarret janë djegur rreth 500 hektarë kullota, shkurre dhe pishnaja. Një kontigjent i Forcës Shumëkombëshe-Perendim, ka ofruar ndihmë në lokalizimin e zjarreve. Shtabi Emergjent I Krizave I komunës së Pejës thotë se po përcjell me vëmendje gjëndjen e krijuar.
„Gjëndja megjithatë është nën kotroll. Nuk vërehet shtrirje zjarri në hapësirat e mëdha, por vetëm nëpër maja bjeshkësh“-thotë kreu I këtij shtabi, njëherësh edhe kreytar i KK-së së Pejës, Ali Lajçi.
Zjarri i cili ka përfshire bjeshkët në kufirin Kosovë-Mal I Zi, ka vazhduar edhe mbrëmë natën. Ndërkohë që në Bjeshkët e Prilepit dhe ato të Lloqanit, ekipet e zjarrfikësve së bashku me Trupat Mbrojtëse të Kosovës kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në KK të Deçanit, deri më tash në këtë territor  janë përfshirë nga zjarri afro 10 hektarë pyje, kryesisht me drunj halorë.
Mijëra hektarë pyje tashmë jane djegur, të tjerë vazhdojnë të digjen ndërsa flakët rrezikojnë edhe vendbanimet. Përderisa në veri të Kosovës, rrezik të madh paraqesin zjarret e vendeve të rajonit të cilat mund të përfshinë edhe territorin e Kosovës, në perëndim të saj, flakët në rritje rrezikojne territorin e Malit të Zi. Qeveria e Kosovës mbrëmë vonë, në nje mbledhje te jashtëzakonshme, ka kërkuar zyrtarisht nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker që të shpallë gjëndjen emergjente në vend, ndërkohë që ka hartuar një plan veprimi lidhur me masat qe mund t’i ndërmarrë në menaxhimin e gjëndjes.
Qeveria e Kosovës, sot ka ndarë një fond prej 700 mijë eurosh për ta tejkaluar gjendjen e krijuar pas përshkallëzimit të zjarreve si pasojë e temperaturave të larta në territorin e Kosovës.

Ajete Beqiraj,Dojce Vele