6 korrik 2007 , Dojçe Vele & Radio Kosova, Realizimi I kthimit rural në komunën e Deçanit varet nga plani për kthimin e komunitetit serbo-malazez, të cilët jetojnë si të zhvendosur në Serbi dhe Mal te Zi. Këshilli Danez për Refugjatë, vazhdon të organizoje vizitat Shko dhe Shiko, në kuadër të të cilave të zhvendosurve iu mundësohen vizita në prona dhe varreza. Kjo ëhtë edhe një përpjekje për zbutjen e tensioneve në mes të dyja komuniteteve.
Pas agresionit serb të vitit 1999, prej të 109 shtëpive të banuara me shqiptar, në fshatin Lloqan të komunës së Deçanit, vetëm 12 prej tyre mbetën të pacenuara. Pesë njerëz u vranë, pesë të tjerë humbën pa gjurmë, përderisa në Rajonin e Vokshit ende nuk dihet për fatin e 49-të të tjerëve. Këto argumente sjell Shkëlzen Shabanhaxhaj, nga kryesia e këtij fshati, si pengesë për kthimin e serbve në fshatin e tyre.
"Ne raste të tilla dihet fare mire se me çka mund të deshmosh. Ne kemi këtu disa plaka të vjetra, afër 100-shit të cilat edhe pse janë maskuar, iakanë njohur në bazë të zërit”.
„Vallahi, keq kanë ba boll. E nuk o mirë me u kthy se vallahi, mos paçin pushkë me gurë i vrasin, haaaaa! Se kanë mbyt njerëz, vallahi. Nuk e kanë ba vendin me u kthy!”-thote zyhraja,80 vjecare,
Të tetë serbet e Lloçanit, të cilat në kuader të vizitave “Shko dhe Shiko”, vizitojne pronat e veta, tash tetë vjet jetojnë në Vernjaçka Banjë, në kushte të renda.
„Atje jemi nëpër shtëpi të huaja. Këtu kemi humbur cdo gjë dhe po kështu, kemi mbetur fajtorë-thotë Stanka Antiç, e cila mban në dorë një tufë lule të verdha, që i kish mbledhur në oborrin e shtëpisë të cilën e shihte pas tetë vjetësh. Ajo tashmë ka shprehur vullnetin të kthehet, duke besuar se ende është e mundur bashkëjetesa përderisa, siç thotë, “askujt s’I kemi bërë keq“.
Maria Danilloviç e cila poashtu jeton në Vernjaçka Banjë, ka shitur pronën në Lloçan. Por, ka apartamnetin në Deçan, ku mendon të kthehet javën e ardhshme.
“Unë kam banesën në Deçan dhe as pesë gjashtë ditë nuk do të shkojnë dhe presë prej nesh do të kthehemi”-thotë Maria.
Por, si e përjetojnë këtë ata që ende i kanë të hapura plagët e luftës?
“Eeeeeee...A janë këtu a?!...Me ta, as s’foli as nuk hi as nuk dal….Se qetu midis oborri m’I kanë ra gruas snajperkë e ma kanë lanë vdekun. Ton jonë kanë ‘shkije’ të LLoqanit, me maska!”
„E kush o ka don me i pru. A Amerika-a???...Ani bre, qysh të thonë këta të mëdhejt. Shka dimë na?! “
Ata që nuk u goditën nga lufta, vetvetiu falin më lehtë. Një plak shqiptar madje iu del përpara dhe flet me fqinjën serbe, sikur kurrë mes tyre të mos kish pasur luftë. Por, sa kohë do t’iu duhet për të falur atyre që u goditën?
“Edhe 40 vjet ata s’osht me përmend Lloqanin hiç. E kur të bahen fëmija që se kanë mbërii këtë rrëmujë, atëherë ndoshta afrohen. Se, kush e ka mbërri, nuk ka qejf me I pa me sy!”-thote plaku nga Lloqani, të cilit ia vranë bashkëshorten.
„Këta nuk e meritojnë të jetojnë këtu. Nuk eshte e vertet se nuk kane bërë krime!“-thote Valoni, i cili me 7 vjetët e tij ka përjetuar luftën.
Mica Mijatoviç, mohon fuqishëm zërat se djemtë e saj kanë bërë krime:“Absolutisht, jo! Kam plot deshmitar se unë nuk i kam edukaur femijët në ëktë mënyrë!“
„Mica o kanë grua e mirë, por fëmijët iu veshën me unifromë dhe bënë çmos!“-thonë loqanasit.
„Ndoshta është dashur të veshin uniformën, sepse kohërat ishin të tilla. Por se i kanë bërë ndonjë të keqe kujt, kurrë! Shqiptarët janë fqinjtë tanë. Ndërsa, unë do doja të përballem me ata njerëz. Dhe, nëse më duhet, edhe jetën do ta jap kur e di se fëmija im nuk është fajtor!“
Gjakra të nxehta, akuza të ndërsjella…çdo ndjenjë tjetër, por jo vullnet për kërkim falje e as fuqi për falje.
“çdokund është kështu, jo vetëm në Lloqan. Ndërsa me akuzat për vrasje e zhdukje, do të merret drejtësia. Nëqoftëse ka qënë kriminel, ai shkon në burg. Por, si ta kryej burgun atë prapë e kthejnë në vend të vetin. Ai prapë mbetet banor i Kosovës“.
Ndër të 60.000 banorët e komunës së Deçanit, përveç shumicës shqiptare jetojnë 10 familje boshnjakë, 2 familje ashkalijë, 65 familje egjiptiane dhe 4 familje rome. Përderisa, javën e ardhshme nga Vrnjaçka Banja do të kthehen edhe pesë serbë, duke rritur në 6-të numrin e serbve të kthyer në komunën e Deçanit.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele