23 korrik 2007 , Dojçe Vele, Ekipi Negociator për statusin e Kosovës, sot takohet me sekretaren amerikane të shtetit, Condolisa Reis, për të qartësuar rrugën e mëtejme të këtij procesi. Përfaqësuesi i deritashëm i Havier Solanës, në Kosovë, Torbjorn Solstrom, në Prishtinë, deklaroi se Bashkimi Evropian do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për të zbatuar Planin e Ahtisarit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Anëtaret e Ekipit të Unitetit, për në Uashginton, të shtunën u nisën me qëndrimin unik për të kërkuar afate dhe përshpejtim të procesit. Ata ishin optimistë se nga takimi me sekretaren amerikane të shtetit, Condolisa Reis do të kthehen me qartësi të plotë për hapat e mëtejmë të qështjes së statusit.
Hashim Thaçi, njëri nga të pesë anëtarët e këtij ekipi:
“Ne kemi besim të plotë në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe ne vendimin e tyre unik. Që SHBA-të do të luajnë rolin udhëheqës si për çlirimin e Kosovës ashtu edhe tash, për zyrtarizmin e shtetit të pavarur. Jemi të përgatitur dhe unik, si Kosovë, për marrjen e përgjegjësive të reja për ndërtimin e shtetit”.
Torbjorn Solstrom, përfaqësues i posaçëm i Komisionerit të Lartë Evropian, Havier Solanës, pas takimit me zv/kryeministrin e Kosovës, Lutfi Hazirin, sot në Prishtinë, shprehu bindjen se zgjidhja e statusit të Kosovës, do të realizohet në bazë të Planit të Ahtisarit.
“Unë e sigurova qeverinë e Kosovës, se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm propozimin e Ahtisarit. Nderkohë, Kosova duhet bërë përgatitjet për zbatimin e këtij plani. Bashkimi Evropian do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për ta përmbyllur këtë proces, sa më shpejt që të jetë e mundur”-thotë Torbjorn Solstrom.
Zv/kryeministri i Kosoves, Lutfi Haziri, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Komisionerit të Lartë Evropian, Havier Solanës theksoi nevojën për një angazhim maksimal të Grupit të Kontaktit rreth përmbylljes se procesit të statusit, pas dështimit të zgjidhjes së tij në Këshillin e Sigurimit. Ai beson në rolin e Grupit të Kontaktit.
“Tash është një moment krejt tjetër politik. Por, rëndësia e marrjes së këtij roli nga Grupi i Kontaktit është shumë e madhe“.
Por, zv/kryemisntri Haziri nuk pret shumë nga takimi i sotëm në Uashington.
“Ky takim nuk pritet ta qartësoje qështjen deri në fund, por pritet që të ketë dakordim në mënyrë që Grupi i Kontaktit dhe qeveritë e shteteve të BE-së t’i harmonizojnë qendrimet dhe Kosova të shkojë në fazën tjetër dhe sa më shpejt ta përmbyll këtë proces shumë të rëndësishëm.“
Takimi i sotëm i Ekipit Negociator për statusin e Kosovës me sekretaren amerikane të shtetit Condolisa Reis, në Uashington, është takimi i parë me një zyrtar të lartë perëndimor pas dështimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit.
Ajete Beqiraj,DW